Në fjalën e tij në hapjen e fushatës elektorale të zgjedhjeve të 11 majit, Edi Rama tha se PS-ja synon anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe këtë e ka prioritet, ndërsa sipas tij, opozita, të cilën e quajti edhe njëherë tjetër si kënetë, synon kthimin e bufit, tha ai, duke iu referuar Berishës.
“Pasaporta e BE-së për shqiptarët nuk është një tjetër dokument udhëtimi, po një status i ri qytetarie për ne si banorë ndër më të vjetrit e këtij kontinenti, që mbase si askush në këtë kontinent kemi kaluar nga picirri në picirr, e më në fund, ja ku na është hapur qielli dhe na është rreshtuar ylli i fatit në një vijë me yjet e Europës; tamam si në ëndrrën e vjetër të Eneas trojan, i cili përpara se t’i jepte lamtumirën Elenit, djalit të Priamit dhe Andromakës në Butrint, në vizionin e qytetërimit që do sillte lulëzim në të tjera vise – në Europë – sheh vëllezër prej shpirti dhe dashurie, popuj të moçëm që do të ndërtojnë një Ilion të vetëm e do të bëhen një realitet i vetëm.
Pasaporta shqiptare e BE-së është dinjiteti ynë kombëtar dhe europian që bëhet i padiskutueshëm më nga askush; dinjiteti i shqiptarëve të Europës, ata në Greqi më vijnë të parët ndërmend, që me pasaportën e BE-së nuk do të kenë më nevojë për asnjë dokument njohjeje të ekzistencës së tyre të ligjshme në Greqi, duke filluar nga njohja e viteve të pafundme të punës atje që do t’u bëhet automatikisht si qytetarë të BE-së;
dinjiteti i fëmijëve tanë kudoqofshin me një pasaportë shqiptare, që nuk do të jenë më të huaj në territorin e BE-së, po do të gëzojnë të njëjtat të drejta e privilegje, njësoj si nxënësit e studentët e tjerë të vendeve të BE-së;
dinjiteti i çdo shqiptari e shqiptareje, që kur të udhëtojë drejt BE-së nuk do të ndalet më nga asnjë polic e nuk do të hyjë më në asnjë radhë delesh të zeza në asnjë pikë hyrjeje në BE, sepse BE-ja do të jetë Shqipëri dhe Shqipëria do të jetë BE;

dinjiteti i kujtdo që me atë pasaportë do të ndalojë ku të dojë në BE, do të kërkojë punë ku të dojë brenda perimetrit të BE-së dhe do të ketë të njëjtat të drejta e privilegje, si çdo qytetar tjetër i BE-së, duke përfituar nga i njëjti sistem sigurimesh shoqërore e në rast nevoje, nga i njëjti kujdes shëndetësor, me të njëjtat kushte e kosto, A2cnn.
Këneta thotë se anëtarësimi ynë në BE nuk është prioritet dhe se ai do të ndodhë vetë, po prioritet sipas kënetës është kthimi i Bufit për të tretën herë në krye të vendit, pasi në dy herët e mëparshme nuk e shkatërroi e pastaj rrënoi mjaftueshëm Shqipërinë”, tha Rama.