Teksa prezantoi edhe njëherë programin e tij qeverisë, Sali Berisha listoi ndikimin që ai do të ketë në jetën e qytetarëve të thjeshtë shqiptar.
Kreu i demokratëve, u angazhua për zero tolerancë ndaj korrupsionit, teksa shtoi se do të ketë një audit të përgjithshëm i cili të gjitha pasuritë e vjedhura do t’i rikthejë te shqiptarët.
“Zotohem se qeveria do të vendosë mbi ta taksat më të ulëta në botë në mënyrë që ju me mundin tuaj të begatoheni, mëkëmbeni, të pasuroheni. Nuk ka një vend të pasur si Shqipëria. Nuk ka 28 mijë km2 me kaq shumë pasuri. Sot ato shfrytëzohen nga Rama dhe oligarkët e tij njëlloj si në sistemin kolonial. Nesër ato do të kthehen në pasuri për ju, për Shqipërinë Madhështore. Zoti vjen në shtëpi, kur ne ta pastrojmë atë.
Zero tolerancë ndaj korrupsionit do të jetë motoja jonë. Njeriu i punës nuk ka armik më të egër se korrupsionin e qeveritarëve. Ai vret mundësitë e të rinjve, ai sjell krimin dhe pasigurinë, skamjen dhe varfërinë. Zero tolerancë ndaj shpërdorimit të parave të tyre. Jap fjalën se një audit i narkoshtetit do të rikthejë qindra milionë euro të vjedhura. Kriminelët kudo që ndodhen do të vendosen përpara ligjit dhe bashkë me ta dhe ministrat kriminelë”, u shpreh Berisha në mitingun hapës të fushatës.