Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar sot heroin Agim Ramadani me rastin e përvjetorit të 25-të të rënies së tij gjatë Betejës së Koshares.
Në një postim në rrjete sociale, Kurti vlerësoi kontributin e gjithanshëm të Ramadani, duke e cilësuar si një personalitet të veçantë që shkëlqeu si artist, poet dhe strateg ushtarak.
“Angazhimi i tij si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte vepra më sipërore mes veprave të tij aq të shumëllojta: nga pikturat te poezia dhe nga fjalimet frymëzuese te mësimet ushtarake”, shkroi Kurti.
Ai përmendi trashëgiminë që Ramadani ka lënë si piktor dhe poet, duke theksuar se pasionin për lirinë e vendit e shprehu si në art, ashtu edhe në veprim konkret.
“Por vepra më komplekse e Katanas është angazhimi intensiv dhe lufta e tij për çlirimin e Kosovës. Nga rënia e tij më 11 prill 1999 përgjatë luftimeve të Betejës së Koshares, u ngrit vepra e tij më e madhe, e krijuar në bashkëautorësi me të gjithë dëshmorët – vepra e lirisë”, shtoi Kurti, percjell Gazeta Blic.

Ai përfundoi mesazhin e tij me nderime për veprën dhe sakrificën e Komandantit Ramadani:
“Lavdi Komandant Agim Ramadanit dhe të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!”