Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar para protestës së sotme në Prishtinë kundër ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Deliu – Kodra, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se rritja e çmimit të rrymës është vjedhje e hapur ndaj qytetarëve.
“Është mundi i përditshëm që po ju vidhet pa mëshirë. Çfarë tjetër duhet të ju marrin? Dinjitetin? Të ardhmen?”, ka shkruar ajo,
“Kjo padrejtësi duhet ndalur! Asnjë cent më shumë nga djersa e qytetarit!”, ka shkruar deputetja Deliu – Kodra.
Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) pritet të marrë vendim sot mbi propozimin për rritjen e çmimit të rrymës për 15 për qind.
Pak orë pas mbledhjes së rregullatorit në mëngjes është paralajmëruar një protestë në mesditë për ta kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës.
Aktivisti i Iniciativës “Asnjë Cent Më Shumë”, Besnik Shabiu ka ftuar qytetarët për mobilizim për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind, duke argumentuar se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.
Kërkesa për shtrenjtimin e rrymës u kundërshtua nga Presidenca dhe nga qytetarë që protestuan të javën e kaluar, transmeton Telegrafi.
Qeveria në detyrë i ka bërë thirrje ZRRE-së ta mos e shtrenjtojë çmimin e rrymës për konsumatorët që shpenzojmë më pak se 800 kilovat në muaj.