Një udhëtim pasdite i një familjeje turistësh spanjollë mbi bregdetin e Manhatanit u shndërrua në tragjedi kur helikopteri me të cilin ndodheshin u rrëzua në një lumë në brigjet e Nju Xhersit, duke vrarë të gjithë familjen dhe pilotin.
Gjithçka u dëshmua nga kalimtarët të cilët panë helikopterin të rrëzohej nga qielli.
Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Eric Adams tha se familja ishte nga Spanja. Agustín Escobar, gruaja e tij Merce Camprubí Montal dhe fëmijët e tyre, 4, 5 dhe 11 vjeç, janë identifikuar si viktima të aksidentit, së bashku me pilotin 36-vjeçar, konfirmuan burime policore për ABC News. Agustín Escobar ishte drejtor i Siemens.
Katër persona u shpallën të vdekur në vendin e aksidentit dhe dy u dërguan në spital. Kryetari i bashkisë së Jersey City, Steven Fulop tha se dy fëmijë u dërguan në spital, por mjekët nuk mundën t’i shpëtonin dhe ata gjithashtu u shpallën të vdekur.
Sipas FlightRadar24, helikopteri është Bell 206L-4 LongRanger IV, i ndërtuar në vitin 2004, me një certifikatë të vlefshmërisë ajrore nga viti 2016 që është e vlefshme deri në vitin 2029, sipas të dhënave të FAA. Informacioni për pilotin nuk ishte i disponueshëm, tha Adams.

Helikopteri u ngrit nga fusha e helikopterit në Lower Manhattan në orën 2:59 pasdite, u nis në jug, më pas u kthye në veri përgjatë ujërave të Manhatanit dhe lumit Hudson. Në orën 15:08, ai arriti në Urën George Washington, më pas u kthye dhe fluturoi përgjatë bregut të Nju Xhersit, ku shpejt humbi kontrollin, tha Tisch.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) kanë nisur një hetim të përbashkët. NTSB po udhëheq pjesën kryesore të hetimit.
Helikopteri ishte në një hapësirë të veçantë ajrore mbi Nju Jork, ku nuk ka kontroll aktiv të trafikut ajror, tha sekretari Sean Duffy. Pak minuta para hyrjes në atë zonë, kontrolli u krye nga kontrolli i trafikut ajror në aeroportin LaGuardia.
Gjatë hetimit do të analizohet i gjithë dokumentacioni për gjendjen e helikopterit.