Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në selinë qendrore të partisë ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Gjatë takimit, të dy zyrtarët diskutuan rreth zhvillimeve të fundit politike në vend, si dhe për qëndrimet e LDK-së lidhur me këto çështje.
Abdixhiku shprehu mirënjohjen e tij dhe të partisë për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës në rrugëtimin euroatlantik, në forcimin e institucioneve demokratike dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ai theksoi nevojën urgjente për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se këto masa po ndikojnë negativisht në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.
Abdixhiku bëri thirrje për rishqyrtimin e këtij vendimi, që sipas tij, po rëndon padrejtësisht mbi qytetarët e Kosovës.

Gjatë takimit, përmes ambasadorit Rohde, Abdixhiku përcolli urimet e tij për koalicionin e ri qeverisës në Gjermani, duke theksuar pritshmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve, përcjell Telegrafi.com
Ai veçoi rëndësinë e partneritetit të shkëlqyer mes CDU-së dhe LDK-së, duke riafirmuar përkushtimin për forcimin e këtij bashkëpunimi politik dhe institucional.