Në postimin e saj, Osmani ka reflektuar mbi historinë e dhimbshme të Kosovës, duke përmendur mbijetesën nga gjenocidi dhe sfidat e mëdha për të ndërtuar një shoqëri të lirë dhe paqedashëse.
Osmani ka falënderuar SHBA-në dhe aleatët e tjerë që qëndruan pranë Kosovës gjatë kohërave të vështira dhe vazhdojnë ta mbështesin sot.
“Si kombi më pro-amerikan në botë, jemi krenarë që qëndrojmë krah për krah me popullin amerikan, në çdo situatë. Është një aleancë që nuk ka të krahasuar”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka përmendur gjithashtu një intervistë ekskluzive me gazetarin Mario Nawfal, ku ka folur gjerësisht për historinë e Kosovës, luftën për pavarësi dhe vizionin për një të ardhme të begatë.
“Kosova do të qëndrojë: e palëkundur, e pathyer, e përjetshme! Dhe ashtu do të jetë aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” ka shtuar presidentja.
Ky mesazh vjen në një kohë kur Kosova vazhdon të forcojë pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare, duke u mbështetur në partneritetin strategjik me SHBA-në dhe duke punuar për integrimin në strukturat euroatlantike, percjell Telegrafi.com
“Kosova qëndron si dëshmi se drejtësia, kur mbrohet, mund të triumfojë, se NATO-ja kur udhëhiqet nga vlerat, mund të shpëtojë jetë dhe se liria, kur fitohet, bëhet forca më e madhe e një kombi,” ka shkruar ajo.