Pokemon Pikachu i famshëm është kthyer në një yll në rrjetet sociale, këtë herë për shkak të protestave në Turqi.
Pamjet gazmore po shpërndahen gjerësisht në rrjetet sociale në të cilat një protestues i veshur si ky Pokemon ikën nga policia turke, shoqëruar me këngë të tilla si “Smooth Criminal” e Michael Jackson ose “The Real Slim Shady” e Eminem.
Pikachu u bë viral kur iu bashkua mijëra demonstruesve që protestonin kundër arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu, i cili është figura kryesore e opozitës dhe rivali politik i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan.
Shikoni në TikTok Një aktivist me një kostum Pokemon fillimisht u pa duke marshuar dhe më pas duke ikur nga policia kur ata filluan të përdorin topa uji për të shpërndarë tubimin. Videoja virale është marrë pranë Universitetit Akdeniz gjatë demonstratave në Antalia.
Shikoni në TikTok Gjatë demonstratave në Turqi, mbi një mijë persona u arrestuan dhe avokatët pretendojnë se policia ka vepruar në mënyrë të paligjshme.
Kush është Pikachu?
Pikachu është një krijim i kompanisë japoneze Pokemon, dhe është më i njohur në mesin e fëmijëve, sepse ai shfaqet si një nga personazhet kryesore në serialin e animuar Pokemon, si dhe në video lojëra të shumta.
Ai është një krijesë e ngjashme me brejtësit me aftësi elektrike. Ka faqe të kuqe, veshë të gjatë me maja të zeza dhe një bisht të veçantë në formë rrufeje, transmeton Gazeta Express.
Në serinë Pokémon, Pikachu përshkruhet si lozonjar, kurioz dhe plot energji, por ai gjithashtu mund të jetë shumë serioz kur bëhet fjalë për të luftuar ose për të mbrojtur miqtë e tij.