Ish-kryeministri italian, Romano Prodi ka kërkuar ndjesë për gjestin ndaj gazetares Lavinia Orefici, pas një incidenti të ndodhur gjatë prezantimit të librit të tij të fundit.
Ai ka shprehur keqardhje dhe ka thënë se e ka bërë atë veprim mekanikisht, në një kontekst tjetër, duke pranuar se ka bërë një gabim dhe se është i gatshëm të reflektojë mbi ngjarjen.
“Kjo histori më jep mundësinë për një reflektim”, tha ai, duke theksuar se është e drejta e çdo individi të mbrojë dinjitetin dhe historinë e vet dhe të mos e pranojë talljen, sidomos në kohën e internetit që mund të shfrytëzohet dhe keqinterpretohet.
Incidenti ndodhi të shtunën, kur gazetarja kërkoi një koment nga Prodi për një pasazh të Manifestit të Ventotenes, që lidhej me pronën private.
Pyetja e gazetares e shqetësoi ish-Presidentin e Komisionit Evropian, dhe në një video të shpërndarë më pas në La7, u pa kur ai tërhiqte flokët e gazetares, duke shkaktuar një reagim të fortë nga ajo.
Lavinia Orefici ka deklaruar se u ndje e poshtëruar dhe e frikësuar nga sjellja e tij, duke theksuar se veprimi ishte tronditës dhe kishte një tonalitet agresiv e të frikshëm, transmeton Telegrafi.com
Ndryshe, Prodi ka qenë President i Komisionit Evropian nga viti 1999 në 2004 dhe dy herë kryeministër i Italisë, nga viti 1996 në 1998 dhe përsëri nga 2006 në 2008.