
Në fundin e muajit mars të vitit 1999, që siç njihet është muaji i pranverës, për banorët e Krushës së Vogël u kthye në një dimër të fortë e në një stuhi që po i merrte familjarët e tyre në mënyrën më mizore.


Në këtë fshat të vogël të Rahovecit, u vranë e u masakruan 113 civilë të pafajshëm dhe të paarmatosur, ndërsa rrëfimet e familjarëve të tyre janë të dhimbshme.
Mirjeta Shehu në këtë masakër ka të vrarë vëllezërit dhe babanë.
“E kam babain me dy vëllezër të vrarë, njërin vëlla të vogël e kemi gjetur, ndërsa dy të tjerë ende janë të zhdukur. S’ka më rëndë se mos t’i gjesh familjarët”, thotë ajo.

Teksa shiu binte mbi kokën e saj, bashkohej me lotët që rridhnin pa pushim nga sytë e saj, duke u përzier me dhembjen e rrëfimit për masakrën e Krushës së Vogël.
Ajo tregon se në familjen e saj nuk ka mbetur asnjë djalë, sepse të gjithë u vranë në këtë masakër. Fjala i dridhet nga dhembja, ndërsa sytë i ngulitën në varret e hapura për babanë dhe vëllain tjetër të zhdukur.
“Nuk kemi vëllezër të tjerë. Jemi vetëm pesë motra dhe një vajzë të vëllait e kemi”, thotë ajo, teksa vazhdon ta pastrojë shiun nga mermeri mbi varrin e vëllait të saj.
Nga kjo masakër, disa civilë kishin arritur të shpëtonin. Në mesin e tyre është edhe Gani Zylfiu, i cili rrëfen për Ekonomia Online, tmerrin që kishin përjetuar atë fundmarsi të 99-ës.
“E kam babanë dhe dy vëllezër të vrarë, dy janë të gjetur, ndërsa vëllai i vogël është i pagjetur”, nis rrëfimin Ganiu, teksa tregon me duar për varret e familjarëve të tyre.
Ai shtrëngoi grushtet, duke ndjerë të ftohtin që nuk vinte vetëm nga shiu, por nga boshllëku i pamatë që la pas ajo tragjedi.
“Jam ndoshta personi i paktë që nuk kam rënë në duart e forcave serbe. Kam qëndruar në mal bashkë me një person tjetër dhe atë ditë nuk kemi vërejtur se çka ka ndodhur, edhe pse ka pasur të shtëna. Të nesërmen jemi takuar me dy persona të tjerë dhe na njoftuan për masakrën në Krushë të Vogël”, raporton Ekonomia Online.
Në këtë masakër, Nexhmija e ka të humbur edhe djalin e saj të vetëm 25 vjeçar. Nga kjo dhimbje, ajo rrëfen se e ka të vështirë ta tregoj tmerrin e asaj dite.