Presidentja Vjosa Osmani ka bërë homazhe sot në Krushë të Madhe në 26-vjetorin e masakrës së bërë nga forcat paramilitare serbe.
Para të pranishmëve, ajo ka theksuar se masakra në Krushë të Madhe është një prej krimeve më të tmerrshme të regjimit gjenocidal të Serbisë.
“Kur në një fshat vriten kaq shumë njerëz të pafajshëm e derdhet kaq shumë gjak, ai nuk është më vetëm një vend në hartë, por është një dëshmi e përjetshme dhe një betim i përjetshëm. Ky vend është Krusha e Madhe. Para 26-vitesh ky fshat u godit nga një prej krimeve më të tmerrshme të regjimit gjenocidal të Serbisë”.
“241 burra dhe djem, u masakruan mes tyre shtatë fëmijë e pesë gra, përfshirë edhe një grua shtatzënë, ata u vranë jo në betejë, por në shtëpitë e tyre, në përqafimin e familjarëve të tyre. Tragjedia nuk ndalet këtu, sot e kësaj dite 64 të rënë janë në mesin e të zhdukurve në Kosovë”, ka pohuar Osmani.
Osmani ka thënë se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për masakrën e Krushës së Madhe.
“Nuk do të lejojmë sakrifica e tyre të harrohet, ne nuk duhet të heshtim, ne nuk duhet të ndalemi, sepse drejtësia për Krushën e Madhe është drejtësi për të gjithë ata që dhanë jetën, për heronjtë e UÇK-së, dhe martirët e lirisë”, ka thënë Osmani.
Ndër tjera, ajo ka theksuar: “Para kësaj, toke të shenjtë në të cilën prehen kaq shumë jetë të pafalshme, ne bëjmë një betim nuk do të ndalemi asnjëherë derisa drejtësia të triumfojë, nuk do të pushojmë derisa krimet e bëra nga Serbia të marrin përgjigjen e duhur”.
Për homazhe aty ishte edhe kryeministri Albin Kurti.