
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është shqetësues niveli i vrasjeve kohët e fundit në Kosovë-katër në vetëm dy ditë.

Ai ka deklaruar se kjo nuk do të duhej të ndodhte në Kosovën e lirë.
“Kemi humbur shumë jetë në luftë për të mos humbur as edhe një në paqe. Dora e shtetit duhet të ndihet, para së gjithash, në sigurimin e rendit dhe qetësisë. Kjo amulli në rritje, e përkthyer në dhunë dhe vrasje, nuk është Kosova që duam”, ka pohuar ai.

Ai ka ka shkruar se “kjo sjellje në masë është reflektim i institucioneve kryesore të shtetit, të cilët të parët nuk respektojnë rend, ligj e prokurori, duke i “trimëruar” kriminelët të të gjitha natyrave përmes amnistimit të sjelljes kriminale të shefit të shtetit”, percjell Telegrafi.

“Ky është efekti zinxhiror i sjelljes banditeske nga i pari; Kosovën po e kthen në një shtet ku jeta dhe mirëqenia e qytetarëve janë jashtë kontrollit. Siguria e qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti numër një, dhe shembulli duhet të vijë nga ata që kanë institucionet në duar”, theksoi ai.
Haradinaj ka ngushëlluar familjarët e viktimave.