Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, duke e caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj B.D., të dyshuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij A.Z., të dielën (23 mars) në Vushtrri.
Në njoftim e Prokurorisë, thuhet se B.D., dyshohet për “Vrasje të rëndë” sipas nenit 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.
“Masa e paraburgim të pandehurit B.D., i’u është caktuar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Mitrovicë”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, konfirmoi të dielen se viktima ishte dërguar në Spitalin e Vushtrrisë, ku edhe u konstatua vdekja e tij.