Pas ndeshjes me Anglinë, tani vëmendja e kombëtares shqiptare zhvendoset te dueli me Andorrën, me të cilën do të luajë të hënën në orën 20:45 në Arenën Kombëtare në kryeqytet. Kuqezinjtë , kanë zhvilluar seancën e radhës në Londër ku grupi sërish nuk ka qenë i plotë.
Lojtarët të cilët nuk u aktivizuan dhe ata që luajtën si zëvendësues kanë zhvilluar stërvitje me ngarkesë të plotë, ndërsa titullarët kanë punuar vetëm në palestër. Sytë janë të Tomas Strakosha, i cili u zëvendësua gjatë ndeshjes me Anglinë për shkak të një shqetësimi në kofshë.
Gjendja e tij po monitorohet nga stafi mjekësor dhe sipas FSHF ende nuk dihet nëse do të jetë apo jo gati për ndeshjen e të hënës ndaj Andorrës. Ndonëse gjendja e tij paraqitet e mirë dhe mjekët janë optimistë që ai mund të rikuperohet, ai nuk është një kartë e sigurt për teknikun brazilian.
Pjesa tjetër nuk ka shqetësime dhe është gati për takimin e dytë të kualifikueseve.
Sipas programit, ditën e dielë, kuqezinjtë do të zhvillojnë dhe seancën e fundit stërvitore në Tiranë para takimit me Andorrën, A2cnn.
Ndeshja Shqipëri-Andorra do të nis në orën 20:45 në stadiumin Arena Kombëtare në Tiranë.