Ministri i Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural, Faton Peci, tha se sektori i pyjeve në katër vitet e fundit ka shënuar progresin më të madh.
Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Pyjeve me temën “Pyjet dhe ushqimi”, ministri Peci tha se ky nuk është vlerësim i tij, por është vlerësim ndërkombëtar, raporton Ekonomia Online.
“Për një periudhë 12 vjeçare menaxhimi i pyjeve, posaçërisht parandalimi i prerjes së pyjeve ka qenë përgjegjësi prej nivelit qendror në atë lokal, mirëpo sikur komunat nuk e kanë pasur prioritet mbrojtjen e pyjeve. Tanimë prej që ka hyrë ligji në fuqi, menaxhimi është pjesë e institucioneve qendrore. Përveç strategjisë, planeve të veprimit e task-forcës për parandalimin e prerjeve ilegale, sektori i pyjeve duhet parë edhe në aspektin e fushëveprimtarisë dhe ndikimit që e ka. Mbi 40 për qind e territorit në Kosovë është me pyje dhe kjo është një pasuri dhe trashëgimi, të cilën unë e them se jemi vetëm shfrytëzues të përkohshëm, andaj historia do të na gjykojë se si do t’ia lëmë brezit të ardhshëm”, tha ministri Peci.