Senatorja nga shteti federal i Alaskës, Lisa Murkowski, tha se kolegët nga Partia Republikane kanë frikë prej Donald Trumpit dhe Elon Muskit.
Sipas saj, Musk dhe Trump u kërcënojnë anëtarët e Partisë Republikane që votojnë kundër dëshirave të tyre, duke u premtuar se do të përdorin ndikimin dhe pasurinë e tyre për t’i larguar nga pozitat në të dy dhomat e Kongresit të SHBA-së, raporton politico.
“Ata shohin akuzat e shumta ndaj meje dhe mendojnë se është më mirë të tërhiqen dhe të heshtin. Për këtë arsye të gjithë qëndrojnë të heshtur, nga frika se mos humbin pozitat ose bëhen objekt sulmesh në media”, tha senatorja, e njohur për qëndrimet më të moderuara dhe përplasjet e shpeshta me lëvizjen “MAGA” përreth Trumpit.
Murkowski ka marrë vazhdimisht kërcënime për largim nga detyra, dhe Trump bashkë me Musk kanë ndërmend ta përmbushin këtë duke mbështetur verbalisht dhe financiarisht kundërshtarët e saj në zgjedhjet e brendshme të Partisë Republikane.
“Unë nuk do të humbas integritetin tim duke u fshehur nga fjalët që besoj se duhen thënë, edhe nëse kjo do të thotë që Musk do të përdorë miliardin e ardhshëm që fiton nga Starlink për të më rrëzuar”, tha ajo.
Në vitin 2022, Murkowski tashmë kishte “mbijetuar” një garë kundër një kandidati më të afërt me lëvizjen “MAGA”, por këtë herë, përveç Trumpit, ajo do të ketë përballë edhe Muskun, i cili ka premtuar mbështetje të konsiderueshme financiare për kandidatët e kësaj fraksioni radikal brenda republikanëve, trasnmeton Telegrafi.
Në mesin e republikanëve, veçanërisht atyre që përfaqësojnë distrikte më të vogla, ekziston një frikë e madhe nga ndikimi i Trumpit dhe pasuria e Muskut, gjë që e bën një figurë si Murkowski, e cila hapur sfidon veprimet e tyre, një përjashtim të rrallë brenda Partisë Republikane.