Profesori i kriminalistikës, Mensut Ademi, ka ngritur shqetësimin për shtimin e rasteve të grabitjeve të armatosura në Kosovë, veçanërisht pas liberalizimit të vizave.
Ai paralajmëron se Kosova po bëhet cak i grupeve të krimit të organizuar, duke rrezikuar sigurinë publike dhe institucionet shtetërore.
Sipas Ademit, grabitjet janë pjesë e një modeli kriminal që përsëritet në muajt e pranverës, kur rritet aktiviteti i grupeve kriminale.
Ai thekson se policia dhe institucionet e sigurisë duhet të jenë më vigjilente, pasi Kosova është identifikuar si një treg me qarkullim të madh të parasë së pistë, që tërheq elementë kriminalë nga rajoni dhe më gjerë.
“Po hyjmë në një sezon të vjedhjeve dhe grabitjeve të armatosura. Të dhënat tregojnë se në dhjetë vitet e fundit, muajt prill dhe maj janë ndër më të rrezikshmit për këtë lloj kriminaliteti”, ka thënë Ademi në TV Dukagjini.
Ai ka bërë thirrje për hetime më të thelluara dhe bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve të sigurisë për të parandaluar sulmet ndaj bizneseve dhe individëve.
Po ashtu, ka paralajmëruar se nëse nuk merren masa të shpejta, situata mund të përkeqësohet, duke ndikuar drejtpërdrejt në sigurinë e qytetarëve.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se një person është arrestuar për grabitjen që ndodhi në oborrin e një qendre tregtare në Prishtinë. Sipas komunikatës, ai po dyshohet për veprat penale “grabitje” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria ka njoftuar se hetuesit policorë po vazhdojnë ndjekjen e personave që ndodhen në arrati.
Për momentin nuk mund të jepen të dhëna të detajuara lidhur me këtë rast, mirëpo Prokurori i shtetit është i përkushtuar që në koordinim dhe bashkëpunim me organet e rendit të zbardh çështjen në tërësi”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
Gjatë ditës është raportuar se në QKUK, është pranuar edhe pacientin e dytë të plagosur me armë zjarri në rastin e grabitjes në “Veternik”.