Iniciativa qytetare “Kosova Bojkoton” ka shpalosur të enjten një çarçaf me mbishkrimin “15 MARS, KOSOVA BOJKOTON, TË GJITHA SUPERMARKETET”, duke paralajmëruar aksionin e tyre të radhës për Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, raporton Ekonomia Online.
Kjo nismë është pjesë e një bojkoti rajonal, i organizuar në bashkëpunim me grupe nga vende të tjera të Ballkanit, me qëllim ndërgjegjësimin për fuqinë e konsumatorit dhe adresimin e shqetësimeve rreth çmimeve të produkteve.
Xhevat Kastrati, anëtar i kësaj Iniciative, tha se u bëjnë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen këtij bojkoti duke treguar fuqinë blerëse kështu duke u dërguar mesazh marketeve dhe qeverisë që janë të pakënaqur me çmimet e larta, raporton Ekonomia Online.
“Kemi marr si nismë punën e rritjes së çmimeve edhe një lloj proteste përmes bojkotit që jemi duke e organizuar. Thirrja për qytetarët është që të bashkohen me ne dhe të ngrisin zërin edhe përmes një bojkotit të tregojnë fuqinë tonë blerëse për shkak se kur të gjithë bashkohemi në bojkot ne dërgojmë një mesazh te marketet, qeveria që jemi shumë të pakënaqur dhe po ashtu e bëjmë një lloj presioni shoqëror për të pasur një reagim. Kemi pasur përkrahej shumë enorme në rrjetet tona sociale, mirëpo nuk i kemi të dhënat e sakta sa ka pasur përkrahje në terren, po shpresoj që tash kemi marr ma shumë përkrahje, kjo është për të mirën e përbashkët”, tha Kastrati.