Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka cilësuar si alarmante deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në Kosovës, Mark Rutte.
Haradinaj tha deklaratat e Rutte se Evropa po e rritë prezencën në Kosovë janë sinjal shqetësues për vendin, pasi SHBA-të duhet të jenë garantues i sigurisë në vend.
“Shumë njerëz nuk po i kuptojnë porositë, sekretari i NATO-s nuk është evropian, NATO është organizatë transatlantike, ai vjen në Prishtinë dhe flet për prezencë evropiane, duhet me ditë a është në rregull këtu, është hera e parë që thotë do ta rrisim prezencën e Evropës, më fal kënd e garanton Evropa?”, tha Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës.
Haradinaj tha se Kosova është e sigurt falë prezencës amerikane, jo asaj evropiane, ndërsa shtoi se ndryshimin e politikave ndërkombëtare karshi Kosovës e kemi dhuratë nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.
“Nuk është Evropa garanca e sigurisë, evropianët që 25 vjet flasin për ‘Eurocorps’ nuk kanë garantuar deri sot në siguri asgjë Evropa. Nuk jemi produkt i aftësisë së sigurisë së BE-së, e synojmë anëtarësimin në BE, por nuk kemi lindur falë veprimeve të sigurisë së evropianëve, por falë veprimeve të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe anëtarëve të tjerë të NATO-s”, tha Haradinaj.