Presidenti amerikan, Donald Trump tha të mërkurën se topi është tani në fushën e presidentit rus, Vladimir Putin, pasi Ukraina pranoi një armëpushim 30-ditor të propozuar nga SHBA-ja.
“Do të shohim. Tani varet nga Rusia”, tha Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale, kur u pyet nëse kishte një takim ose telefonatë të planifikuar me Putinin, duke shtuar se përfaqësuesit amerikanë janë duke udhëtuar drejt Rusisë “në këto momente”.
Ai refuzoi të komentonte nëse kishte një takim të planifikuar me Putinin, shkruan cnn.
Edhe i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, pritet të udhëtojë drejt Rusisë, megjithëse nuk është e qartë nëse ai planifikon të takohet me udhëheqësin e rusisë, me të cilin u takua muajin e kaluar. Në Zyrën Ovale, zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance tha se bisedimet po zhvillohen “përmes telefonit dhe personalisht me disa nga përfaqësuesit tanë gjatë ditëve në vijim”.
Trump përsëriti bindjen se Ukraina ka qenë “pala më e vështirë”. Megjithatë, kur u pyet, ai tha gjithashtu se mund të vendosë sanksione shtesë ndaj Rusisë, ndonëse sugjeroi se nuk dëshiron ta bëjë këtë.
“Ka gjëra që mund të bësh që nuk do të jenë të këndshme, në aspektin financiar. Mund të bëj gjëra financiarisht që do të ishin shumë të këqija për Rusinë. Nuk dua ta bëj këtë, sepse dua të arrij paqen, dua të shoh paqe,” tha ai, duke shtuar “Po afrohemi për të arritur diçka”.
I pyetur nëse besonte se Putini do ta respektonte armëpushim, duke pasur parasysh që më parë i ka shkelur, Trump u përgjigj “nuk kemi folur ende me të në mënyrë të thelluar, sepse sapo e mësuam dhe sapo arritëm që Ukraina të pranonte. Do ta dimë shumë shpejt. Kam marrë disa mesazhe pozitive, por një mesazh pozitiv nuk do të thotë asgjë”.