Në Bjeshkët e Deçanit më saktësisht në zonën e njohur si “Kulla e Qelisë” nga një zjarr që nisi një ditë më parë janë djegur mbi 40 hektar mal.
Erërat e forta dhe terreni i vështirë, bashkë me mungesën e pajisjeve adekuate të zjarrfikësve të Deçanit, e bënë të vështirë lokalizimin e shpejtë të zjarrit, që ndodhi vetëm gjatë ditës.
Gjithçka që përfshihej brenda një hapësirë prej mbi 40 hektarësh në zonën e njohur si “Kulla e Qelisë” të Bjeshkëve të Deçanit u bë shkrumb e hi.
Zjarri që kishte filluar të shtunën, u përhap shpejtë në këtë zonë i ndihmuar edhe nga erërat.
Ekipet e zjarrëfikësve të Deçanit e Junikut dhe numër u madh i vullnetarëve mesditën e së dielës ishin ende në luftë me flakët, raporton Sinjali.
“Deri tash në një perimeter shumë të madh është lokalizuar zjarri, diku janë 40-50 hektar, tereni siç po shihet është shumë i vështirë dhe rrezikshëm”, ka theksuar Shaqë Mati, zjarrëfikës.
Ndaljen e zjarrit e bënte edhe më të vështirë terreni i papërshtatshëm.