Kryeministri Albin Kurti, kryetar i këtij subjekti politik, u pyet sot në një konferencë për media se a do të ankohen në Gjykatën Supreme në rast se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e hedh poshtë ankesën e tyre për “manipulim të fletëvotimeve”.
“Sa i përket çështjeve të procesit zgjedhor – se zgjedhjet nuk janë kryer edhe pse votimet kanë mbaruar – derisa nuk bëhet certifikimi i rezultateve, unë besoj që organet tona të Lëvizjes Vetëvendosje do t’i marrin qëndrimet e vendimet e duhura. Ajo është një pjesë tjetër me të cilën nuk po arrij që të merrem mbase sa do të duhej, por edhe nuk është vendi këtu që të flas”, tha ai.
LVV-ja mori mbi 30 mijë vota nga ato me postë, apo 51.57%, rezultat ky dukshëm më i ulët sesa ai që e kishte marrë në zgjedhjet e vitit 2021 nga votat nga jashtë, raporton Gazeta Express.
LDK-ja ka marrë 30.55% të votave me postë, PDK-ja 9.48% dhe koalicioni i AAK-së, Nismës dhe të tjerëve 3.23%.