Kosova vazhdon të përballet me largimin e lojtarëve të talentuar, të cilët në vend që të veshin fanellën dardane, zgjedhin të përfaqësojnë kombëtare të tjera. Rasti më i fundit është ai i Etnik Brrutit, mesfushorit të talentuar që ishte kapiten i Kosovës U21, por vendosi të braktisë Kosovën dhe t’i bashkohet Kombëtares shqiptare.
- Ky vendim vjen në një moment kur Kosova po përpiqet të ndërtojë një ekip të fortë për të ardhmen, por po e ka gjithnjë e më të vështirë të mbajë talentet e saj. Për shumë tifozë dhe ekspertë të futbollit, ky është një sinjal alarmi për Federatën e Futbollit të Kosovës, e cila akuzohet për paaftësi dhe menaxhim të dobët të lojtarëve të rinj.
Brruti i shtohet një liste tashmë të gjatë të lojtarëve që kanë zgjedhur rrugë të tjera për karrierën e tyre ndërkombëtare. Besfort Zeneli, i rritur dhe i lindur në Suedi, refuzoi të bashkohej me Kosovën, duke pritur një ftesë nga përfaqësuesja suedeze. Ai nuk është i vetmi, pasi raste të ngjashme kemi parë me Edvin Kurtulus, i cili gjithashtu luajti për Kosovën U-21, por më pas vendosi të përfaqësonte Suedinë.
Një rast që shkaktoi shumë debat ishte ai i Mirlind Dakut, Arbnor Mujës dhe Arbër Hoxhës, të cilët u ndjenë të lënë pas dore nga Kosova dhe vendosën ta përqafojnë fanellën kuqezi të Kombëtares shqiptare.
Një tjetër lojtar i cili ishte kapiten i Kosovës U-21, por më pas zgjodhi Shqipërinë, ishte Ardian Ismajli, i cili aktualisht është një nga mbrojtësit më të rëndësishëm të Kombëtares shqiptare. Rrugën e tij e ndoqën edhe Kastriot Dërmaku, Medon Berisha dhe Adrion Pajaziti, të cilët më parë ishin pjesë e Kosovës U-21, por në fund vendosën të veshin fanellën kuqezi.
Jo vetëm Shqipëria, por edhe kombëtare të tjera kanë përfituar nga largimi i talenteve nga Kosova. Mërgim Berisha, një nga sulmuesit më premtues shqiptarë, refuzoi të luante për Kosovën dhe vendosi t’i bashkohet Gjermanisë. Uran Bislimi, një tjetër futbollist i talentuar, gjithashtu u largua papritur nga Kosova dhe pranoi një ftesë nga Zvicra.
Një rast i ngjashëm ishte ai i Andi Zeqirit, i cili madje kishte pozuar me fanellën e Kosovës përkrah presidentit të FFK-së, Agim Ademi, por në fund vendosi për Zvicrën. Po ashtu, Kemal Ademi dhe Ardon Jashari u konsideruan për një kohë të gjatë si lojtarë që mund të ndihmonin Kosovën, por kur u paraqit mundësia, ata zgjodhën përfaqësuesen helvetike.
Lista e lojtarëve që nuk e panë Kosovën si opsionin e parë vazhdon me emra të tjerë si Elvis Rexhbeçaj i cili fillimisht priste një ftesë nga Gjermania, por më pas vendosi të luajë për Kosovën, dhe Diant Ramaj, portieri i Ajaxit që ende është në dilemë mes Kosovës dhe Gjermanisë.
Ky fenomen ka shkaktuar debate të shumta në opinionin sportiv. Disa fajësojnë Federatën e Futbollit të Kosovës, duke e akuzuar atë për paaftësi në menaxhimin e lojtarëve dhe mungesë strategjie për t’i bindur ata të qëndrojnë. Të tjerë fajësojnë vetë lojtarët, duke i akuzuar ata për mungesë përkushtimi dhe për shfrytëzim të Kosovës si një opsion rezervë derisa të shfaqet një mundësi më e mirë.
Një pjesë e madhe e lojtarëve që janë rritur jashtë Kosovës duket se e shohin përfaqësuesen dardane si një Plan B. Shpeshherë ata vijnë dhe luajnë për grupmoshat e reja të Kosovës, por kur vjen koha për Kombëtaren A, nëse marrin një ftesë nga një përfaqësuese më e fortë, nuk hezitojnë të largohen.
Përndryshe, rasti i Etnik Brrutit dhe të tjerëve që po largohen do të vazhdojë të përsëritet, duke e bërë të vështirë që Kosova të ndërtojë një ekip konkurrues për të ardhmen, transmeton Gazeta Express.
Për momentin, ajo që mbetet e sigurt është se Kombëtarja e Kosovës po pëson një humbje të madhe me çdo talent që largohet.