Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, për nder të ditës ndërkombëtare rë gruas, i uron ato duke i falenderuar për kontributin në shtet e për shoqërinë, përcjell InLajmi.
Ai ndër të tjera tha se gratë meritojnë lule por edhe më shumë që të flitet për kërkesat e tyre. Për nevojat e tyre jetësore që vijnë prej pabarazisë. Këtë e kemi parasysh që prej ditës së parë të Qeverisë dhe dështojmë vetëm nëse harrojmë.
Kurti në një postim të gjatë në rrjetin e tij social facebook i renditi edhe të arriturat e qeverisë së tij përballë grave.
Postimi i tij i plotë:
I uroj sot të gjitha gratë e Republikës sonë. I falënderoj sidomos sot të gjitha për kontributin në shtet e për shoqërinë. Sot në ditën Ndërkombëtare të Gruas, gratë meritojnë lule por edhe më shumë që të flitet për kërkesat e tyre. Për nevojat e tyre jetësore që vijnë prej pabarazisë. Këtë e kemi parasysh që prej ditës së parë të Qeverisë dhe dështojmë vetëm nëse harrojmë.
Rezultatet e Qeverisë sonë për barazinë gjinore asnjëherë nuk i themi me mburrje por me plot përgjegjësi e obligim. Jo vetëm të arriturat konkrete por pothuajse secili vendim në qeverisjen tonë merr parasysh se si e ndikon jetën e grave dhe vajzave në Kosovë.
Duke filluar nga parakushti kryesor i barazisë, pavarësimi ekonomik:
- Mbështetëm direkt punësimin e mbi 12 mijë grave;
- Nga 16 mijë të rinj të punësuar nga platforma Superpuna, 51% janë vajza;
- Nga 3 mijë të rinj që kanë përfituar punë praktike përmes programit Kosovo Generation Unlimited, afër 60% janë gra e vajza;
- Nga të rekrutuarit në administratën publike, në vitin 2023, 48% ishin gra, ndërsa në vitin 2024, 63% gra;
- Mbështetëm punësimin e mbi 4 mijë personave (prej tyre 55% gra) të cilët nuk kanë pasur asnjë anëtar të familjes të punësuar, përmes programit “Qeveria për familjet”;
- Ofruam trajnim në punë dhe mbështetje në punësim për 239 persona me aftësi të kufizuara (120 prej të cilëve gra e vajza);
- Lansuam masën e punësimit për gratë që janë viktima të dhunës;
Shtesat për Lehona dhe Fëmijë:
- Gati 70 mijë lehona përfituese, prej tyre rreth 2/3 të papuna;
- Nga shtesat për fëmijë kanë përfituar mbi 400 mijë fëmijë;
- Rreth 100 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë falë këtyre masave;
- Mbështetëm me 10 milionë euro gratë në bujqësi përmes subvencioneve dhe granteve;
- Mbështetje për 711 biznese (prej tyre 30% në pronësi të grave) me potencial eksporti përmes granteve në vlerë prej 20.5 milionë euro dhe subvencionimi i kredive investuese për 450 biznese me 12.4 milionë euro përmes masës 2.1;
- Rritja e qasjes së grave në pronë: masa afirmative për regjistrimin e pronës së përbashkët në emër të të dy bashkëshortëve pa pagesë: në 2024 gjithsej ishin 17,592 prona të regjistruara në krahasim me vetëm 105 sa ishin në 2016;
- Përkrahje monetare shtesë për gratë pronare ose bashkëpronare të shtëpive ose bizneseve në skemat e efiçiencës së energjisë (mbi 180 gra përfituese);
- Ndamë 6885 bursa për studentë në fushat STEM (6605 vajza, 253 djem).
Për shëndetin e vajzave dhe grave:
- Përmes programit për vizitat e nënave e fëmijëve dhe vaksinim të fëmijëve sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit, realizuam gjithsej mbi 200 mijë vizita në shtëpi dhe rreth 40 mijë vizita vetëm në 2024;
- Mundësuam falas mamografinë përgjatë gjithë vitit. Për herë të parë, mundësuam rikonstruktimin e gjirit dhe e ofruam falas bashkë me protezat që tashmë sigurohen nga qeveria (çmimi në privat: 3000-5000 euro);
- Deri në vitin 2022, shumica e rasteve të diagnostikuara me kancer të gjirit ishin në fazën e tretë ose të katërt. Falë shtimit të pajisjeve diagnostikuese dhe fushatave ndërgjegjësuese bashkë me OJQ, në 2023 dhe 2024, shumica e rasteve tani diagnostikohen në fazën e parë dhe të dytë, raste për të cilat trajtimi dhe shërimi është shumë më lehtë i arritshëm;
- Siguruam vaksina kundër virusit HPV për vajzat deri në moshën 15 vjeçare.
Në mbështetje të viktimave të dhunës në familje dhe seksuale:
- Miratuam Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026 (87% e aktiviteteve të zbatuar plotësisht ose në zbatim);
- Lansuam Protokollin Shtetëror për Trajtimin e rasteve të Dhunimeve Seksuale në Republikën e Kosovës;
- Ofruam programin psiko-social për trajtimit e kryerësve të dhunës në familje dhe ndaj grave;
- Po ofrojmë ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe me bazë gjinore, pavarësisht gjendjes së tyre socio-ekonomike.
Kurse pjesëmarrja e grave në pozicione vendimmarrëse dhe administratë publike është pakrahasimisht më e lartë se më parë. Ndërkaq përfaqësimi në borde të ndërmarrjeve është rekord. Dy gra kryeshefe i gjetën ndërmarrjet publike Telekomin e Postën me humbje shumëvjeçare shumë milionëshe dhe i sollën ato në fitimprurëse pas vetëm dy viteve që i menaxhuan. E në forcat tona të rendit e sigurisë kemi 1303 police dhe 324 ushtare.
Fokusi ynë për gratë është te çdo politikë publike. Politika shëndetësore, vërtetë të shëndetshme për gratë. Fuqizim ekonomik me punësim apo fuqizim të rolit aty ku veçse puna ishte. Mbrojtje e përkrahje viktimave të çfarëdolloj dhune si dhe përpjekje për parandalim të dhunës. Politika përkrahëse për vazhdimin e studimeve sidomos në fusha ku mungonin gratë.
Nuk ka përfunduar dhe as nuk është kryer. Barazia është puna jonë e përditshme si qeveri. Si rezultate iu përkasin qytetareve të Republikës. Si procese janë shtyrë më së shumti prej grave.
Faleminderit shumë të gjjthave për kontributin, që e bëni Kosovën çdo ditë më të mirë e më të suksesshme! Dhe faleminderit për frymëzimin! Në retrospektivë dhe në të tashmen. E shumë më shumë për të ardhmen. /InLajmi/