Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, nga një takim të zhvilluar në Kamëz për 7 marsin, ka premtuar se me qeverisjen e tij, pagat e mësuesve do të jenë mbi mesataren.
Gjatë fjalës së tij Berisha tha se arsimi nuk ka vëmendjen e duhur dhe mësuesit sipas tij janë degraduar dhe zëvendësuar me patronazhistë.
“Këto vite janë mbyllur 760 shkolla. Këto vite numri i studentëve ka rënë me mbi 60 mijë. Këto vite është regjistruar ajo që ndoshta nuk është regjistruar asnjëherë në historinë tonë mijëravjeçare. Një qytet, një qendër e banuar si Kolonja, si Erseka, ka patur në vitin 2023 vetëm një lindje.
Në vitin 2030, në klasën e parë të këtij qyteti ulet vetëm 1 vogëlush.
Kombi nuk është goditur kurrë në materien e tij, në qenien e tij nga asnjë pushtim, nga asnjë pushtues, nga asnjë fatkeqësi natyrore, nga asnjë luftë, siç është goditur këto 12 vite të qeverisjes së një njeriu, i cili ka patur mision shkatërrimin e këtij kombi.
Ka patur si mision dhe ka, shkatërrimin e këtij kombi. Edi Rama përbën ndoshta antishqiptarin më të zi të historisë. Siç e kanë quajtur me shumë të drejtë analistë ndër më të mëdhenjtë të kohës, gjermanë e të tjerë, ‘Pashiqi Shqiptar’. Këtë gjëmë që i bëri Shqipërisë me politikat e tij, e shoqëroi me thika të tmerrshme pas shpine Kosovës.
Një vend vëlla, vëlla gjaku, një vend që u bë i pavarur sepse qëndroi i pamposhtur nga pushtuesit më të egër. Pas ardhjes së tij në pushtet përballet me një presion të egër mes Tiranës e Beogradit.
Në fakt jo vetëm që ndaloi procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, por mori anën e Beogradit, vuri sanksione Kosovës, i pari, me urdhër antishqiptar. Pra kjo që pësoi Shqipëria dhe shqiptarët me Edi Ramën është e pashembullt në tërë historinë.
Unë e kam përjetuar diktaturën komuniste dhe unë e di se dhjetëra e mijëra shqiptarë, u ekzekutuan për fjalën, mendimin e liri, dinjitetin njerëzor. Dhjetëra mijëra të tjerë u internuan, u dëbuan. Një popull i tërë ra në varfëri dhe mjerim.
Por kurrë, ky komb, ky popull nuk ka humbur në 10 vite, 45% të materies së tij, siç kemi humbur në këtë periudhë. U ndala në këtë analizë, për të thënë se në këtë regjim, diktaturë të dytë, arsimi ka qenë dhe viktima më tragjike e tij.
Mësuesit u degraduan, u zëvendësuan me patronazhistë. Rrogat e tyre në vend që të ndiqnin trendin sot nuk kanë të kompensuar as gjysmën e inflacionit 12-vjeçar.
Një shkollë drejtorash, si shkollë partie. Një portal që quhet ‘Mësues për Partinë’. Të gjitha këto së bashku, sollën rrokullimën e madhe të sistemit jetik, më të rëndësishëm për një komb, në rrugën e tij drejt përparimit, progresit.
Pagat e mësuesve do të jenë mbi pagën mesatare. Ju jeni dëshmitar që ne kemi shpallur moton tonë ‘Shqipëria Madhështore’ dhe unë garantoj secilin prej jush se kjo moto, sado që mund të tingëllojë si e largët, mund të tingëllojë si jo realiste, por unë ju jap fjalën dhe ju garantoj se ‘Shqipëria Madhështore’ do yë jetë një realitet shumë më i afërtë nga ai që mendoni ju.
‘Shqipëria Madhështore’ është dhe do të jetë para së gjithash, projekti i burrave dhe grave që e duan Shqipërinë, që e saksifikojnë për Shqipërinë, që i besojnë Shqipërisë.
‘Shqipëria Madhështore’ është vendi të cilit natyra dhe Zoti i kanë dhënë pasuritë më përrallore për tu ngritur në zenitin e madhështishë, në zhvillimin e saj.
‘Shqipëria Madhështore’ është vend në të cilin mund të prodhohet kudo dhe çdo gjë.
Është vendi në të cilin rezervat natyrore të gjithanshme janë botërore, rezervat energjetike janë të jashtëzakonshme.
‘Shqipëria Madhështore’ është vendi në të cilin kurrë nuk mund të ishin këto rroga e pensione.
Por ‘Shqipëria Madhështore’ ka një kusht të të gjitha kushteve ‘Arsimin Madhështor’.
Ëndërra e madhe e shqiptarëve për një ‘Shqipëria Madhështore’, nuk mund të realizohet pa një arsim madhështor. Pa transformimin e thellë të arsimit. ‘Shqipëria Madhështore’ nuk mund të jetë Shqipëria e njerëzve që numërojnë kafshatën.
Nuk mund të jetë Shqipëria e të sëmurëve që nuk blejnë dot ilaçet. Nuk mund të jetë Shqipëria e prindërve që nuk ushqejnë dot fëmijët e tyre. Jo. Të gjitha këto marrin fund në tre muajt e parë të qeverisjes.
Shqiptarë, 3 muajt të parë të qeverisjes që prodhon varfëri ekstreme nuk ka dhe nuk do të ketë. Paketa jonë është paketë asgjësuese për varfërinë ekstreme.
‘Shqipëria Madhështore’ është Shqipëria e arsimit madhështor, në të cilin mësuesi e mësuesja, do të jenë në piedestalin e nderit që u takon atyre për misionin e madh që kanë, raporton Top Channel.
Nuk ka mision më të madh, nuk ka mision më të rëndësishëm, më serioz se misioni i mësuesit. Ndaj dhe ne i rikthehemi përsëri besimit tonë tek arsimit. Ne i rikthehemi përsëri trajtimit dinjitoz të mësuesit dhe mësueses në Shqipëri. Nuk mund të ketë mësues me rrogë mesatare në Shqipëri. Nëqoftëse rroga mesatare në Shqipëri do të jetë 1200 euro, e mësuesit do të jetë mbi mesataren. Për këtë ju garantoj unë miq. E pedagogut do të jetë qartësisht mbi mesataren. Pra do i rikthehemi me forcën më të madhe, trajtimit të merituar të mësuesit e mësueses”-u shpreh gjatë fjalës së tij Berisha.