Shkruan: Blerim Valla
Në këtë libër gjenden edhe poetët e gjeneratës së artë të poezisë moderne shqipe, që njihet si “Shkolla poetike e Gjakovës” si poetët e mëdhenj Ali Podrimja, Enver Gjergjeku, Din Mehmeti, Rexhep Hoxha, Besim Bokshi, Teki Dervishi, Agim Gjakova etj.
Në vigjilje të 60 – vjetorit të manifestimit më të madh dhe më të njohur poetik mbarëkombëtar, Mitingut të Poezisë të Gjakovës , u botua antologjia ”Vargnim Gjakove” e studiueses e krijueses së njohur dr. Migena Arllati.
Bëhët fjalë për një libër i cili paraqet katër gjeneratat e krijuesve nga Gjakova me mbi 100 poet, ku secili poet renditet sipas vitit të lindjes. Poezitë dhe poetët në këtë antologji janë ndarë në katër periudha : 1920 – 1940; 1941 – 1960; 1961 – 1980; dhe 1981 – 2010.
Në fillim të librit “Vargnim Gjakove”, autorja hedh dritë ndaj krijuesve gjakovarë të shekullit XVII, personalitete kryesisht klerikë fetarë, duke filluar me Yvejs Efendija (1680-1730), Gjon Nikollë Kazazi (1702-1752), Tahir Efendi Gjakova,(1770-1850), Tahir Zajmi, (1897-1971), Anjez Gonxhe Bojaxhiu/Shën Nënë Tereza,(1910-1997).
Për të gjithë këta autorë të cekur, Prof. Migena Arllati, prezanton nga një poezi të tyre me biografi të shkurtër, si dëshmi të përkatësisë gjakovare dhe kontributit të tyre letrar dhe intelektual.
Rëndësia e kësaj antologjie përpos të tjerave është në prezantimin e vlerave të krijimtarisë poetike tě poetëve (të katër brezave) të Gjakovës, duke nisur që nga viti i largët 1699 kur dihet që është shkruar poezia e parë me titull ”Uratë” nga Yvejs Efendia, e shkruar në gjuhën shqipe nga ndonjë autor gjakovar me alfabet osman, dhe deri më sot, me poeten më të re Olsa Domi (2005).
Të Gjakovës, qytetit me ma së shumti shkrimtar (edhe poet) por edhe të njohur, nga të gjitha qytetet e tjera në mbarë hapësirën shqiptare!
Kjo antologji patjetër është mirë të përkthehet edhe në shumë gjuhë të huaja, për të dokumentuar para lexuesve të huaj jo vetëm traditën e mirëfilltë e të lashtë por dhe me vlera të mëdha, të shkrimit të poezisë në qytetin e Gjakovës!
Pasi hartimi dhe botimi i një antologjie si kjo nga zinj. Arllati është një kontribut i rëndësishëm për promovimin e letërsisë, kulturës por edhe historisë së qytetit të Gjakovës.
Antologjia e Migena Arllatit, një botim luksoz me një përgatitje teknike tejet në nivel dhe me një cilësi të lartë, padyshim nga më cilësorët prej atyre shumë antologjive të kësaj teme, e që janë botuar vend e pa vend mbas luftës , mbase edhe pa ndonjë kriter e vlera letrare deri tani, ka ardhur në kohën e duhur, në prag të shënimit të jubileut të 60 – të, të Mitingut të njohur të Poezisë të Gjakovës, edicioni i parë i të cilit është mbajtur në vitin 1964 . Përkushtimi i znj. Migena ndaj artit poetik por edhe puna e saj disa vjeçare në hartimin e këtij libri, sollën deri te botimi i kësaj antologjie ekskluzive me titull tejet metaforik ”Vargnim Gjakove”.
Për këtë dëshmoi edhe përurimi i kësaj antologjie ku pjesëmarrja e publikut ishte shumë e madhe nga dashamirët e poezisë, e ku folën shumë veta.
Shkrimtari i njohur Agim Gjakova, në cilësinë e konsulentit të këtij librit, potencoi se me këtë antologji dëshmohet edhe një herë se qyteti i Gjakovës gjithmonë ka patur, ka dhe do të ketë shpirt të madh poetik, dhe ku poezia nuk do të vdes kurr!
Kurse kryetari i Klubit Letrar të Gjakovës “Gj. N. Kazazi“, shkrimtari Muharrem Kurti, vlerësoi se kjo antologji është një punë e madhe e autores për të mbajtur gjallë manifestimin më të madh poetik shqiptar, njëherit edhe një dhuratë e bukur për kryeqytetin e poezisë – Gjakovën, në prag të mbajtjes se Mitingut të 60 – të Poezisë!
Botimin e antologjisë në fjalë me tej e kanë përshëndetur dhe e kanë vlerësuar edhe shumë personalitete e mysafirë nga Kosova, Shqipëria e diaspora.
Kurse në fund autorja M. Arllati, ka thenë se libri “Vargnim Gjakove”, është i shkruar nga vetë artistët.
“Gjatë gjithë kohës që e punoja, e dija se “VARGNIM GJAKOVE” ishte një lodhje e bukur.
Le ta gëzojë Gjakova këtë libër, le ta gëzojnë poetët dhe poezia shqipe”.
E ndjeja si obligim në vetvete ta përgatisja sa më denjësisht këtë vëllim pasi unë kam njohur për së afërmi poetët e mëdhenj si Din Mehmeti, Ali Podrimen, Teki Dervishin e Besim Bokshin, me Xajë Nurën e Halil Haxhosajn, me Mazllom Sanejën, Sulejman Lokajn e Shyqri Nimanin … që të gjithë tashmë të ndjerë.
Dhe ja tek e solla këtë antologji në jubileun e 60-të të Mitingut të Poezisë si dhe në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës.
Nderime për të gjithë ata që shpirtin e tyre e kthyen në varg e vargun në përkushtim shpirtëror….”, ka përfunduar fjalën e saj znj. Arllati.
Në këtë antologji gjenden edhe “Poetët e gjeneratës së artë” të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyera në historinë dhe kulturën tonë letrare dhe jo vetëm, e që njihet si shkolla poetike e Gjakovës!
Këta poetë të mëdhenj të kësaj gjenerate jetuan e vepruan në një kohë të errët për popullin tonë, atëherë kur mungonte liria e fjalës por edhe e jetës, si Anton Çeta, Enver Gjergjeku, Din Mehmeti, Rexhep Hoxha, Besim Bokshi, Ali Musaj, Ali Podrimja, Teki Dervishi e Agim Gjakova. Për të vazhduar pastaj me të njohurit Murteza Xajë Nura, Halil Haxhosaj, Agim Deva, Mazllum Saneja, Ali Olloni, Nexhmedin Soba, Agim Byci, e Flora Brovina, Fakete Rexha, Mevlyde Saraqi, Ferhat Ymeri, etj.
Deri deri tek ata të brezit të viteve të 1961 – 1980, që me poezitë e tyre u bënë të njohur dhe të cilët dje dhe sot e udhëhoqën ( por edhe udhëheqin) dhe e mbajtën ( por edhe e mbajnë) gjallë sot aktivitetin e Klubit Letrar të njohur të Gjakovës “ Gj. N. Kazazi “ si : Muharrem Kurti, Engjëll I. Berish, Besim Muhadri, Blerim Valla, Diamant Abrashi, Albet Shala, Shkëndije Hoda, Anton Marku, Migena Arllati, Gentiana Muhaxheri, etj, por edhe të tjerët si Arben Hoxha, Eduard Frrokaj, Blerina Rogova Gaxha, Shqipe Bytyqi, Pal Sokoli, Vjollca Kuqi, Shqiptar Oseku, Shpend Gjocaj, Shefqet Dinaj, Dafina Mamusha Roka, Elona Pozhegu, e shumë të tjerë – a
Duhet cekur se antologjia ”Vargnim Gjakove” është një botim luksoz me një përgatitje teknike tejet në nivel dhe me një cilësi të lartë, padyshim nga më cilësorët prej atyre shumë antologjive të kësaj teme, e që janë botuar vend e pa vend mbas luftës , mbase edhe pa ndonjë kriter e vlera letrare deri tani, ka ardhur në kohën e duhur, në prag të shënimit të jubileut të 60- të të Mitingut të njohur të Poezisë të Gjakovës.
Për këtë dëshmoi edhe përurimi i kësaj antologjie ku pjesëmarrja e publikut ishte shumë e madhe nga dashamirët e poezisë.
Përndryshe Dr. Migena Arllati është e lindur dhe rritur në Elbasan dhe e martuar në Gjakovë, ka punuar për shumë vite si gazetare , pastaj mësimdhënëse, kurse aktualisht është ligjëruese universitare dhe ka të botuara një numër veprash autoriale si poezi, recenzione, monografi, kritikë letrare etj.
Është anëtare e kryesisë së Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” , pastaj e Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, por edhe anëtare e shumë shoqatave kulturore etj. . Është aktive dhe pjesëmarrëse në shumë ngjarje letrare, konferenca, takime, tryeza etj, anë kënd trojeve shqiptare./InLajmi/