Kosova zyrtarisht është në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s ku pritet të bëhet anëtare e asociuar e Aleancës. Për këtë Serbia e ka dërguar një letër duke pretenduar se dhënia e statusit për Kosovën do të ishte vendim i dëmshëm si për Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe veçanërisht për proceset e stabilizimit dhe integrimit euroatlantik në Ballkanin Perëndimor.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për letrën e dërguar nga Serbia në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, të cilën e sheh se veprim për “shkak të gabimeve të Kosovës”.
“Serbia është e inkurajuar prej gabimeve të Kosovës, prej gabimeve të Kurtit dhe ajo shkon në një hap më tutje, pra më shumë minuse t’i quaj kështu sepse një letër e tillë, sepse Serbia me siguri ka përgatit, nuk sjell letra e para, pra me siguri ata gjatë gjithë kohës kanë dërguar raporte gjoja se Kosova vepron kundër të drejtave të komunitetit serb apo edhe zhvillimeve tjera, pra e kemi paralajmëruar me kohë thellimin e humbjeve për Kosovën”, thotë Haradinaj.
Haradinaj ka folur edhe për mundësinë që ky proces të dështojë si në rastin e Këshillit të Evropës. Ai ka thënë se Serbia do t’i shfrytëzojë vendet mosnjohëse.
“Ne nuk kemi çështje tani për tu diskutuar sepse nuk ka një proces kontraktual por p.sh ka vende skeptike dhe jo njohëse do ta shfrytëzojnë edhe pozicionin e Serbisë për shkak se ju e dini se për anëtarësim në NATO ka rendësi marrëdhëniet nder fqinjësore sikurse për marrëveshje tjera”, thotë Haradinaj.
Në agjendën e publikuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-s temë diskutimi do të jenë edhe sfidat në Ballkanin Perëndimor.
“Asambleja pritet të miratojë një reformë të thellë të partneriteteve dhe të vendosë për kërkesat e Maltës dhe Kuvendit të Kosovës për t’u bërë anëtare të asociuara”, thuhet në agjendë, përcjell RTK.
Përveç sfidave të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, temë diskutimi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s do të jenë edhe strategjitë për të mbështetur partnerët e NATO-s.