Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar e nderuar dëshmorët e martirët e rënë me 21 maj të vitit 1999 në Kaçanik, përcjell InLajmi.
Haradinaj tha se Kaçaniku me rrethinë i doli zot Atdheut në të gjitha etapat.
Trashëgimia që e lanë pas, të na shërbejë si shtytës në përpjekjet tona për një Kosovë të sigurte, shtoi ai.
Haradinaj tha se aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera të NATO-s nuk është thjesht një partneritet strategjik, është zotim për të hapur rrugët e suksesit dhe përparimit për brezat e ardhshëm.
Lavdi e përjetshme të rënëve për liri. Heroizmi i tyre u trashëgoftë ndër breza, përfundoi kreu i AAK-së.

Postimi i plotë i tij:
Në skaj të Kosovës, Kaçaniku me rrethinë i doli zot Atdheut në të gjitha etapat. Kjo trevë e dëshmoi veten edhe në luftën e fundit për liri.
Sot, kisha nderin të jem në mesin e banorëve të Runjevës dhe Stagovës së Kaçanikut, ku mu bë një pritje e ngrohtë nga zemra. Përjetova ndjenja dhimbjeje por edhe krenarie deri sa bashkë me familjarë të dëshmorëve e martirëve dhe bashkëluftëtarë, nderuam dëshmorët; Kemajl Thaqi dhe Ekrem Gudaqi, të cilët ranë nën udhëheqjen e Komandantit tanimë Hero i Kosovës, Agim Bajrami. Po ashtu, me respektin më të lartë, nderuam martirët e rënë më 21 Maj 1999; Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi.
Trashëgimia që e lanë pas, të na shërbejë si shtytës në përpjekjet tona për një Kosovë të sigurtë. Aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera të NATO-s nuk është thjesht një partneritet strategjik, është zotim për të hapur rrugët e suksesit dhe përparimit për brezat e ardhshëm. Le të punojmë krah për krah, të rreshtuar dhe të bashkuar në synimet tona, në përkushtimin tonë për Kosovën në NATO. Kjo është detyrë për ne.
Lavdi e përjetshme të rënëve për liri. Heroizmi i tyre u trashëgoftë ndër breza!/InLajmi/