Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Fatmir Humolli duke folur lidhur me mundësinë që të bëhet shpërndarja e Kuvendit, ka thënë se në kuptimin politik diçka e tillë është e dëmshme.
Humolli vlerëson se rënia e qeverisë aktuale pa dhënë llogari ndaj qytetarëve të vendit, është e dëmshme.
Ai ka konsideruar se Kuvendi i Kosovës nuk i ka kryer obligimet ndaj qytetareve, ku sipas tij, pozitë – opozitë kanë bërë garë mes vete, pozita nuk ka përmbushur premtimet e fushatës, opozita nuk ka bërë presion ndaj saj, për t’u realizuar fjala e dhënë për qytetarin.
“Në kuptimin politik është e dëmshme për momentin nëse qeveria aktuale, institucionet aktuale rrëzohen pa dhënë llogari para qytetarëve. Për arsye se Kuvendi i Kosovës prej momentit kur e ka marrë mandatin nuk e ka kryer obligim ndaj qytetarëve. Shumica ka qenë në shpërputhje me atë që i ka thënë në fushatë qytetarëve, kurse opozita nuk ka qenë korrekte t’i bëjë presion qeverisë që t’i realizojë fjalën e dhënë qytetarëve. Më shumë është bërë garë politikë mes vete” është shprehuar ai në emisionin “Ditari” në Tëvë 1.
Ndërsa, për Humollin nëse rrëzohet kjo qeveri pse s’po zbaton marrëveshjet e padrejta të kërkuara nga perëndimi, është jo korrekte dhe goditje ndaj interesit të Kosovës.
“Me u rrëzuar qeveria dhe me u shpërnda Kuvendi për shkak se nuk është dëgjuar burokracia evropiane është jokorrekte. Është një goditje ndaj interesit të Kosovës. Nëse rrëzohet kjo qeveri pse nuk i ka zbatuar disa marrëveshje të padrejta që kanë bërë presion shtetet perëndimore kundër popullit të Kosovës, popullit shqiptar dhe nuk i bëjnë presion as Serbisë për të bërë asociacion të shqiptarëve, as Maqedonisë, as Greqisë kurse i bën presion Kosovës për ta lënë një derë qelë që Rusia me ndikuar në Ballkan kurdo”, ka shtuar ai.