Nënsekretarja e Shtetit për Diplomacinë Publike dhe Çështjet Publike të SHBA-së, Elizabeth Allen është pritur në takim në Beograd nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq ka dhënë detaje për këtë takim në një postim në llogarinë e tij në Instagram.
“Bisedë e mirë dhe e dobishme me Nënsekretarin e Shtetit Allen për çështjet rajonale dhe gjeopolitike, si dhe për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”.
“Shqyrtuam mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së në fushën e kulturës dhe arsimit, veçanërisht përmes llojeve të ndryshme të programeve të bursave, për shkëmbimin e studentëve, kulturave dhe njohurive”.
“Folëm edhe për mbështetjen e SHBA-së për përparimin e Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE. Theksova presionet me të cilat përballet Serbia dhe serbët dhe kërkova nga SHBA-ja që të rrisë angazhimin dhe të përdorë ndikimin e saj për të ruajtur stabilitetin e rajonit dhe për të krijuar parakushte për bashkëpunim të sinqertë dhe përparim konkret të rajonit dhe të gjithë qytetarëve tanë drejt një më të mire dhe të ardhme më të begatë”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
Zyrtarja e lartë amerikane pas Serbisë, do ta vizitojë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Ajo ka udhëtuar drejt Ballkanit Perëndimor nga 12 maji dhe do të qëndrojë deri më 20 maj, kjo për të avancuar qëllimet e përbashkëta të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian.
Në një njoftim të Departamentit amerikan të Shtetit të së hënës u bë e ditur se Allen do të theksojë vlerat themelore demokratike që ndajnë me njerëzit e Ballkanit Perëndimor dhe rëndësinë e punës së bashku për të mbrojtur shoqëritë e lira dhe të hapura nga ndikimi malinj.
Në Kosovë, Allen do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar mbështetjen e SHBA-së për rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike dhe partneritetin me Kosovën për të luftuar dezinformimin e huaj dhe ndikimin malinj.
“Ndërsa në Kosovë, nënsekretarja Allen do të vizitojë pjesëtarët e shërbimit amerikan të dislokuar si pjesë e Misionit Paqeruajtës të Forcave Kosovare të NATO-s (KFOR) në Camp Nothing Hill, duke nënvizuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit”, transmeton Klan Kosova.
“Nënsekretarja Allen do të zhvillojë gjithashtu diskutime me studentë të ndryshëm kosovarë të angazhuar në lëndët e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës në Rochester Institute of Technology – Kosovë. Ajo do të udhëtojë në Dërsnik për të zbuluar mozaikët e epokës romake që arkeologët po restaurojnë falë mbështetjes nga Fondi i Ambasadorëve të Departamentit të Shtetit për Ruajtjen e Kulturës”, thuhet në njoftim