Lidhur me ftesat ndaj krerëve të partive opozitare për takim dhe diskutim lidhur me agjendën legjislative, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i interesuar që të takohet me të gjithë.
Kurti ka thënë se ka qenë i hapur gjithmonë dhe do të vazhdojë të jetë njësoj edhe në vitin e fundit të qeverisjes.
“Jam i interesuar që të takohem me të gjithë dhe mendova se është më së miri të takohemi të gjithë së bashku. Unë jam gjithmonë i hapur, i interesuar, i gatshëm. Këtë e kam treguar edhe në të kaluarën dhe do ta tregoj edhe në ditët, javët, muajt në vijim, tash që kemi hyrë në vitin e fundit të mandatit qeverisës” , ka thënë Kurti për TV Besa.
Gjatë ditës së sotme, kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, u ka dërguar ftesa për takim krerëve të opozitës.
Kurti në letrën të cilën ua ka dërguar 3 partive opozitare thekson se arsyeja pse ka ftuar në takim krerët e partive dhe shefat e grupeve parlamentare ka të bëjë me atë që të diskutohen hapat për përmbushjen e agjendës legjislative.
Deri më tani kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar ftesën si të vonuar për të gjetur një klimë bashkëpunuese.
“Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë përherë mbështetëse për interesat madhore të Republikës, ndonëse nuk i jeni përgjigjur asnjëherë kësaj gatishmërie me bashkëpunim reciprok”, thuhet në letrën e Abdixhikut për Kurtin.
Ndërsa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se ftesa për takim bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare përcjell Dukagjini.
Haradinaj ka thënë se kreu i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri dhe i gjithë grupi parlamentar do të diskutojnë dhe do të gjejnë një gjuhë, e cila pastaj do të përcjellet në Kuvendin e Kosovës.