Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë në linjë me konkluzionet e nxjerra me datën 12 dhjetor 2023, Këshilli Evropian do të diskutojë për masat e BE-së bazuar në një raport te Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell, lidhur me përmbushjen e kushteve nga ana e Kosovës.
“Për masat, në përputhje me Konkluzionet e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë masat e BE-së në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së”, ka thënë Stano per Gazeten Express.
Satno ka folur edhe për zgjedhjet e fundit në Veri që u mbajtën për të larguar kryetarët shqiptarë. Ai ka theksuar se Kosova e ka mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale përmes votimit për kthimin e kryetarëve të komunave, derisa thotë se organizimi i votimit ka pasur disa sfida, si vendosja e kamerave të sigurisë.
Gjithashtu thotë se vendimi i partive politike që përfaqësojnë serbët e Kosovës që të tërhiqen nga procesi dhe thirrja për bojkot, kanë çuar në një sërë vështirësish, përfshirë krijimin e komisioneve në qendra të votimeve pa asnjë anëtarë serb të Kosovës.
Stano si sfidë e ka përmendur edhe vendimin e drejtorëve të shkollave serbe në Veri për të mos lejuar përdorimin objekteve shkollore për votime.
“Kjo ka krijuar sfida serioze për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kjo gjithashtu pengoi qasjen e qytetarëve në informacione të sakta për vendndodhjet e reja të vendvotimeve”, ka thënë Stano.
Stano për Express ka thënë se BE shpreh keqardhje që serbët e Kosovës në Veri e kanë çuar dëm një mundësi për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarët “që do të ishin vërtet përfaqësues”.
Sipas zëdhënësit të BE-së, rezultati nuk kontribuon në uljen e tensioneve dhe në shtrimin e rrugës për kthimin e serbëve në institucione, gjë që thotë se është esenciale për normalizimin e raporteve.
Stano për masat ka folur edhe në një konferencë për media gjatë kësaj jave, kur është pyetur për kërkesat e drejtuesve të institucioneve të Kosovës që ato të hiqen. Ai ka thënë se masat do të hiqen vetëm kur të vendosin shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe jo politikanët e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Kosovës në vazhdimësi kanë kërkuar heqjen e masave, duke thënë se Kosova i ka plotësuar kushtet.