Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e të Zhdukurve ka thënë se kjo është ndër ditët më të dhimbshme të Kosovës.
Osmani pasi bëri homazhe te memoriali për të Pagjeturit, potencoi se plaga e Kosovës do të mbetet e hapur derisa nuk kthehen gjithë, e sipas saj, liria do të jetë kuptimplotë vetëm kur të kthehen të gjithë.
“Sot është një ndër ditët më të dhimbshme në histori të Kosovës sepse përveç që shënojmë 25 vjetorin e masakrës më të madhe të kryer kundër shqiptarëve në Kosvoë në luftën e fundit pra masakrën e Mejës, po ashtu i bashkohemi dhimbjes së gjithë familjarëve të zhdukurve me dhunë, të cilët edhe 25 vite pas e kanë dhimbjen dhe mungesën e papërshkrueshme me fjalë. Është një dhimbje që ta shpon shpirtin sepse për dallim nga shumë të tjerë që kanë humbur më të dashurit, familjet e zhdukurve nuk kanë ku të vendosin një lule për t’i përkujtuar familjarët e tyre”, u shpreh Osmani.
Ajo theksoi me tej se Serbia kreu krim të dyfish, pasi sipas saj, fillimisht e kreu krimin dhe pastaj bëri çmos që ta fsheh atë duke i fshehur gjurmët e krimit
“Një numër i madh i tyre janë fëmijë, të vegjël edhe sot Serbia vazhdon të flenë mbi varreza masive, edhe sot Serbia vazhdon që të bëjë krim të dyfish sepse njëherë e kreu krimin dhe pastaj bëri çmos që ta fsheh atë duke i fshehur gjurmët e krimit dhe 25 vite më pas”.
“Përkundër që kryetari i komisionit Andin Hoti disa herë i ka drejtuar letra Serbisë që në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel të hapen arkivat për të dhënat e brigadave e policore e ushtarake për të c ilat ka dëshmi të qarta se kanë marrë pjesë në masakra për ashtu në operacione pas luftës për fshehjen e trupave, Serbia akoma nuk bëhet e gjallë ndaj këtyre kërkesave, dhe vazhdon ta shkelë këtë marrëveshje të rëndësishme të arritur në Bruksel”, u thekson Osmani, shkruan KlanKosova.
“Jemi pranë familjes, që ta ndajmë dhimbjen, të gjithë 1.600 të zhdukur janë familjarë të gjithë Kosovës, por plaga e Kosovës e jonë do të mbetet e hapur derisa nuk kthehen gjithë, liria do të jetë kuptimplotë vetëm kur të na kthehen të gjithë”, ka thënë presidentja e shtetit Vjosa Osmani.