Një qytetar bashkë me një zjarrfikës janë lënduar gjatë tentimit për ta shuar zjarrin që kaploi fabrikën e kërpudhave, mëngjesin e sotëm në fshatin Kërpimeh të Podujevës.
Kështu ka bërë të ditur për Tëvë1, komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në stacionin e Podujevës.
“Lajmin për një zjarr e kemi marrë në orën 10:50 lidhur me hetimet e shkaktimit të mundshëm të zjarrit janë duke u marrë organet përkatëse. Zjarri është likuiduar tani më, dhe jemi në përfundim dhe hapa të sigurt”, tha ai.
Ai bëri të ditur se zjarrfikësi i lënduar është në gjendje stabile, por që i njëjti ka pësuar djegie të dorës së shkallës së lehtë.
“Një qytetar dhe një zjarrfikës janë lënduar, kanë djegie të dorës – djegie të shkallës së lehtë. Të lënduar rëndë nuk ka. Zjarrfikësi ka dorën të lënduar, por të tjerët janë mirë. Gjendja e zjarrfikësit është stabile”, deklaroi ai.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti tha se në vendngjarje janë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin.
“Sot rreth orës 11:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një fabrikë në fshatin Kërpimeh të Podujevës. Në vendngjarje janë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin. Për detaje njoftoheni me kohë” deklaroi Ahmeti.
Ndërsa, një dëshmitar për Tëvë1 ka thënë mbrapa kamerës se zjarri ka filluar të ndizet paraprakisht brenda objektit.
“Unë kam qenë brenda, zjarri ka filluar të shpërndahet, kam djegie në fytyrë, nuk e di qysh ka filluar saktë, veç më kanë lajmëruar që zjarri ka filluar me u shpërnda, kam tentua me fikë, por ka qenë e pamundur”, tha punëtori i fabrikës.