Deputetja dhe anëtarja e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku shprehet se fajtore për gjendjen e krijuar në Ndërmarrjen Trepça është Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik si dhe ndërhyrjet politike në Bordin e ndërmarrjes.
‘’Fajtori i vetëm është Qeveria e Kosovës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ndërhyrjet politike në Bordin e Ndërmarrjes. Ju kujtoj dhe citoj atë që kishte thënë Ministrja Artane Rizvanolli para pak kohësh: “Së bashku me Kryesuesen e Bordit, Rrezarta Pllana, Kryeshefin Ekzekutiv, Bashkim Kurti dhe drejtorin e Njësisë, Shyqri Sadiku, i siguruam ata që investimet e planifikuara në Trepçë, pajisjet e mjetet e punës, të sigurisë e mbrojtjes për minatorët do të jenë prioritet. Përkundër sfidave’’, deklaroi Bunjaku.
Ajo për FrontOnline thotë se punëtorët e Trepçës duhet të shkojnë në IPK për të bërë ankesë e më pas të padisin edhe Qeverinë e Kosovës për trajtimin që iu ka bërë.
‘’Trepça ka nevojë që të unifikuar të punojmë të gjithë së bashku për të mirën e ndërmarrjes për ta sjellë Trepçën aty ku e meriton, si bosht i zhvillimit ekonomik e shoqëror të Mitrovicës dhe tërë atij rajoni. Punëtorët e Trepçës duhen të paraqiten në Inspektoratin e Punës për ankesë, duhen paditur Qeverinë e Kosovës, e të kompensohen për trajtimin e padinjitetshëm që po u bëhen minatorëve’’
Më tej deputetja Bunjaku thotë se kanë rënë përformancat e ndërmarrjeve publike me ardhjen e VV-së .
‘’Performanca e çdo ndërmarrjeje publike ka rënë dukshëm, pasi ka ndërhyrje politike, kurdisje të bordeve me militantë partiakë nga radhët e Vetëvendosjes, me mungesë të kuadrove të dëshmuara në zhvillim ekonomik krejt ky pushtet’’.
Ajo thotë se VV sa ishte në opozitë pa ndalë e përmendën Trepçën ndërsa sot po bëjnë vetëm regres.
‘’Prandaj e kemi gjendjen e mjerueshme, mosmbajtje të premtimeve për kushte më të mira për punëtorët e Trepçës. Nuk janë në gjendje t’i japin as pagat, e lëre më t’i rrisin pagat e të investojnë në infrastrukturë të vjetruar. Në opozitë e kanë zënë në gojë më së shumti Trepçën. Kur erdhën në pushtet, jo që nuk sollën asnjë ndryshim, por sollën vetëm regres’’, thotë Bunjaku.