Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave për grupmoshën U19 ka shënuar fitore bindëse në ndeshjen e parë të raundit të 2-të për kualifikimet e Evropianit 2024 kundër Gjibraltarit, me rezultat 5:0.
Kosova e nisi mirë ndeshjen, teksa rezistencën e vendaseve e theu në minutën e 27-të, kur Rreze Gashi shënoi golin e parë.
8 minuta më vonë realizoi Alba Shabani. Me epërsinë e 2 golave u mbyll pjesa e parë, teksa në vazhdim Dardanet u treguan edhe më efikase, duke realizuar 3 gola tjerë.
Zëvendësuesja Sahare Berisha shënoi 2 gola (në minuta 74 dhe 84), kurse rezultatin përfundimtar e vendosi Ema Kerqota, në minutën e 87-të.
Ndeshjen e radhës Kosova e zhvillon më 5 prill kundër Luksemburgut, ndërsa më 8 prill luan ndaj Izraelit. Ky i fundit sot mposhti Luksemburgun, 1:0, shkruan Klan Kosova.
Dardanet e reja të udhëhequra nga Albina Rrahmani bëjnë pjesë në Grupin 3 në Ligën B, e ku fituesi i grupit avancon në Ligën A për ciklin e ardhshëm kualifikues.