Me një pritje të ngrohtë dhe plot emocione në komunën e Shën Benedhitit, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, së bashku me zëvendësministren, Liza Gashi kanë nisur vizitën në komunat arbëreshe në Kalabri të Italisë.
Siç thuhet në komunikatën e MPJD-sw, në takim me kryetaren e kësaj komune arbëreshe, Rosaria Capparelli, Gërvalla shprehu falënderimet e saj për mikpritjen dhe vullnetin e gatishmërinë e arbëreshëve të Kalabrisë për të ndërtuar ura të forta bashkëpunimi me Kosovën, përmes të cilave, siç ajo, qytetarët e 2 vendeve tona do të kalojnë e bashkëpunojnë jo vetëm në sferën e kulturës, por edhe përmes shkëmbimeve tregtare dhe fushave të ndryshme, ku arbëreshët e Italisë shquhen me shekuj.
“Ruajtja dhe trashëgimia e gjuhës, kulturës dhe identitetit për kaq shekuj është frymëzim dhe shembull edhe për mërgatën dhe diasporën tonë në ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore dhe kulturore brez pas brezi”, shkruan KlanKosova.
Kjo vizitë vjen në kuadër të angazhimit të MPJD-së për të forcuar lidhjet kulturore dhe shoqërore mes Republikës së Kosovës dhe komunave arbëreshe të Kalabrisë, përmes projekteve që përafrojnë qytetarët e 2 vendeve në njërën anë dhe njëkohësisht rrisin bashkëpunimin ndërinstitucional mes komunave nga të 2 vendet, në kulturë, arsim dhe trashëgimi kulturore por edhe ekonomi, tregti dhe shkëmbim ekspertize në fusha të ndryshme.