Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi ka vlerësuar se koordinimi me aleatët ndërkombëtar është rezultat i diskutimeve pozitive për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Arifi tha për Front Online se vendi ynë i ka plotësuar të gjitha kushtet që kërkohen për anëtarësim.
Koordinimi me aleatët tregon që Kosova nuk do të ketë pengesa politike, thotë Arifi.
“Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet të cilat cekën në raport, që janë parimet e përgjithshme për një shtet për t’u bërë anëtare në KiE. Se ky diskutim do të jetë pozitiv është si pasojë e koordinimit me aleatët ndërkombëtar. Letra e krerëve të shtetit është zotimi që do të zbatohen të gjitha marrëveshjet që janë arritur nga të gjitha qeveritë e vendit, kjo dëshmon që kur Kosova koordinohet nuk do të ketë pengesa të tjera politike”, thotë Arifi.
Ai deklaron se fajin për vonimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE e ka Rusia.
Pasi sipas tij, shteti rus ka refuzuar të avancojë interesat e vendit tonë.

Drita e madhe hapët për Kosovën pas anëtarësimit, vlerëson Arifi.
“Se Kosova nuk është pranuar më herët ka të bëjë më shumë me elemente politike, duke ditur që aty ka qenë Rusia që ka lëbuar që çështja e Kosovës mos të vjen as në rend të ditës për t’u anëtarësuar dhe anëtarët e Këshillit të Evropës nuk kanë qenë shumë të interesuar që Kosovën të avancojnë falë luftës dhe ndryshimit gjeopolitik në Evropë dhe luftës në Ukrainë. Hapët një dritare shumë e madhe për Kosovën për anëtarësim”, ka përfunduar Arifi.
Për këtë temë presidentja Vjosa Osmani ka folur të mërkurën, e cila tha se shpreson që raporti të miratohet dhe që më pas Asambleja e Përgjithshme ta rekomandojë anëtarësimin.
Osmani thotë se në letër e ka bërë të qartë që detyrat që ka Kosova për të bërë duhet të bëhen në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e saj.
“Ajo çka është me rëndësi e që ka qenë kërkesë e imja në letrën dërguar Bakoyanis është që të përfshihet një pjesë ku çdo detyrim i Republikës së Kosovës të zbatohet në përputhje me të drejtën kushtetuese, ligjet e Republikës së Kosovës, me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Kushtetueses. Kjo është korniza jonë, s’dalim assesi jashtë saj”, tha ajo.
Ndërsa, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla nga Nju Jorku ka thënë se nëse ka kuorum, raporti i raportueses Dora Bakoyannis do të miratohet. Çështja e kuorumit është ngritur për shkak të mundësisë që deputetët të mos udhëtojnë në Paris për shkak të festës së Pashkëve.