Bisedimet mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë përfunduan me zotimet e palëve që, deri më 22 mars, t’i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Kështu tha në fund të takimit kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili paralajmëroi një takim tjetër javën e ardhshme për të parë nëse propozimet e tyre mund të shndërrohen në një të vetëm që, siç tha, “do të ishte i pranueshëm për Kosovën”.
“U dakorduam që deri të premten secila pale të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë hapësire që këto 2 propozime të bëhen një propozim”, tha Bislimi pas takimit.
Ai ka kërkuar sqarim nga Lajçak sa i përket deklarimit të kryenegociatorit serb se nuk do ta zbatojnë marrëveshjen e arritur para një viti në tërësi. Bislimi ka thënë se përgjigjja e Lajçak ka qenë se për këtë duhet të kemi një takim të nivelit të lartë ku do të diskutohet për këtë çështje.
Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, u takuan të martën në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Duke folur pas takimit, Petkoviç tha se gjëja e parë për të cilën këmbënguli pala serbe ishte themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, sepse “kjo do ta zgjidhte edhe çështjen e financimit të të gjitha institucioneve serbe në Kosovë”, shkruan EuroNews.al
Me një rregullore të Bankës Qendrore, Kosova ndaloi përdorimin e dinarit serb nga 1 shkurti, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese.