Në disa furra të Prishtinës është vërejtur ngritja e çmimit të bukës.
Nga 50 centë sa ka qenë çmimi i një buke, ditëve të fundit është ngritur në 60 centë.
Kjo vërehet edhe nga kuponët fiskal që kanë dërguar qytetarët nga furra të ndryshme në Prishtinë.

I habitur me ngritjen e çmimit të bukës është shprehur kryetari i Shoqatës së Mullisëve, Bashkim Zejnullahu.
Ai tha se pasi ka ulje të çmimit të miellit ka pritur që të ketë edhe të bukës.

“Jam i habitur që paska ngritje të çmimeve të bukës se kemi pritë të bie jo të ngritët. Por kjo varët nga furrat. Që një vit e gjysmë mielli është në rënie, këto ditë do ketë rënie shtesë”, u shpreh ai.
As në planet e afërta nuk është ngritja e çmimit të miellit, thotë Zejnullahu.
Ai tha se ka sasi të bollshme edhe për vitin 2025, shkruan Front Online.
“Nëse flasim për para një viti e gjysmë rreth 40 % ka rënie të çmimit të miellit. Sasi ka të mjaftueshme edhe për vitin 2025. Ka ulje të madhe të çmimit të miellit, dhe nuk është as në plane për t’u ngritur”, tregoi Zejnullahu.