Kryeministri i vendit, Albin Kurti, njoftoi se Qeveria e Kosovës i ka dhënë të drejtë Agjencionit Kadastral që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit.
Kurti tha se kjo është bërë për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni.
“Qeveria e Kosovës i ka dhënë të drejtë sot Agjencionit Kadastral që ta zbatoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla i ka dërguar notë verbale Këshillit të Evropës, më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme atje, në prill asambleja parlamentare dhe në fund të majit këshilli i ministrave që vendos për anëtarësimin tonë”, tha Kurti.
Në lidhje me këtë çështje dhe si e ka parë vendimin e kryeministrit Kurti ka folur më gjerësisht për “Gazeta Blic” historiani i Mesjetës, Nue Oroshi.
Oroshi tha se me një vendim të tilë, Kurti, është rënditur në radhën e kryeministrave paraprak që bëjnë pazare në dëm të shtetit të Kosovës.
Ai tutje tha se ai nuk është Manastiri i Deçanit por kisha e Deçanit dhe se e njëjta është kishë katolitke shqiptare.
“Fillimisht dua të them se me këtë vendim kryeministri Kurti është renditur në radhën e kryeministrave paraprak që tash e me shumë se 2 dekada po bëjnë pazare të dhimshme në dëm të shtetit të ri të Kosovës. Kisha e Deçanit e jo Manastiri i Deçanit është kishë katolike shqiptare” tha Oroshi.
Historiani Oroshi tregon se kishën e Deçanit dhe kishën e Deviçit, deri në fillim të shekullit XX, i ka ruajtur fisi i Gashit dhe në meshë shkonin shqiptarë me plisa të bardhë.
Ai tregon se kisha e Deçanit është marrë me dhunë në mes të viteve 1911- 1913.
“Atë kishë si dhe kishën e Deviçit deri në fillim te shekullit XX, i kanë ruajtur fisi i Gashit dhe aty në meshë kanë shkuar shqiptarët me plisa të bardhë. Kjo kishë është marrë më dhunë në mes të viteve 1911- 1913 ku nga nëntori i vitit 1912 e deri në fund mars të vitit 1913 u vranë dhe u masakruan nga Serbia 25.000 shqiptarë, ku u djegën edhe në turra drush, kjo masakër ndodhi në teritorin e Kosovës së sotme, Maqedonisë së sotme, Malit të Zi, Lumës, Mirditës, Dibrës e deri në Durrës për të realizuar planët dhe ëndrrat e vjetra serbe për të pas dalje në detin shqiptarë. Vlenë të theksohet se këto masakra kanë ardhur edhe më përkrahjen e Perandorisë Osmane ku pas rënies se Konstantinopojës 1454 bëhet një marrëveshje në mes të perandorisë osmane dhe kishës ortodokse ruse për të drejtat e ortodoksve brenda Perendorisë Osmane. Kjo marrëveshje e ka dëmtuar historikisht çështjen shqiptare sepse turqit dhe rusët i ndanë sferat e interesit për ti asimiluar shqiptarët. Hapi i parë ishte kthimi me dhunë ne islam dhe në ortodoks. Po e përmendim vetëm një fakt ku më 7 mars të vitit 1913 vritët me bajonetë atdhetari At Luigj Palaj në Janosh të Gjakovës ku ishin të lidhur edhe qindra shqiptarë katolikë që me anë të presionit dhe vrasjeve të kalojnë në ortodoksizem dhe të asimilohen në serb” tregon Oroshi.