Përzgjedhësi i ri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda e ka publikuar listën e futbollistëve të cilët do t’i ketë në grumbullim për 2 miqësoret e rëndësishme të këtij muaji kundër Armenisë, më 22 mars dhe kundër Hungarisë, më 26 mars.
Në listën e Fodës janë përfshirë 24 futbollistë, por edhe Lindon Emërllahu (FC Ballkani), pas angazhimit me Kombëtaren U-21 në ndeshjen kundër Gjermanisë, nga data 23 mars do t’i bashkohet Kombëtares A për ndeshjen e 2-të kundër Hungarisë.
Këto 2 miqësore janë sfidat e para të Kombëtares së Kosovës nën drejtimin e trajnerit gjerman, bashkë me stafin e tij.
Dardanët do të grumbullohen të hënën (më 18 mars) në hotel ‘Emerald’, teksa stërvitjen e parë do ta zhvillojnë në të njëjtën ditë në orën 16:00, në Kampin Nacional në Hajvali.
Paraprakisht, të hënën, në orën 12:00, në hotel “Emerald” do të mbahet konferencë për media e përzgjedhësit Foda. Ndërkohë, të mërkurën ekspedita e Kombëtares së Kosovës do të niset për në Yerevan, atje ku të premten do ta zhvillojë përballjen me Armeninë. Pas kësaj ndeshje Dardanët do të zhvendosen në Budapest, për testin e dytë të këtij muaji kundër Hungarisë, shkruan Indeks Online.
Këto 2 miqësore do të jenë mundësi e mirë për trajnerin Foda që ta njohë nga afër ekipin dhe ta përgatisë atë për një rrugëtim të suksesshëm.