Chelsea ka shënuar fitore me rezultat 3-2 ndaj Newcastle United në kuadër të javës së 28-të në elitën e futbollit anglez.
Vendasit morën epërsinë herët në këtë takim me anë të Nicolas Jackson 6’ i cili realizoi për 1-0 pasi devijoi gjuajtjen e Cole Palmer.
Reagimi i mysafirëve erdhi krejt në fund të pjesës së parë kur Alexander Isak 45’ me një gjuajtje jashtë zonës shënon në cepin e djathtë të portës për 1-1.
Chelsea kaloi në avantazh menjëherë në aksionin vijues, por goli i Nicolas Jackson u anulua për pozitë jashtë loje.
Në pjesën e 2-të Chelsea u tregua mjaft agresive duke arritur që të shënojë 2 gola dhe të marrë fitoren.
Cole Palmer 58’ u përkujdes që ta rikthejë përsëri avantazhin e Chelseat në 2-1, ndërsa fitoren e tyre e konfirmoi Mykhailo Mudryk 78’ që shënoi për 3-1.
Mysafirët arritën që të ngushtojnë rezultatin në 3-2 me anë të Jacob Murphy 90’ por nuk ia dolën të evitojnë humbjen, shkruan Telegrafi.
Me këtë fitore Chelsea shkon në kuotën e 39 pikëve dhe momentalisht renditet në pozitën e 11-të në tabelën e Ligës Premier.