Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të krijojë mekanizma, në mënyrë që të rinjtë të mbajnë vendet e tyre të punës.
Ai tha se në Kosovë ka buxhet për rritje të pagave, ashtu siç po ka për subvencionet që po i shpërndan Qeveria e Kosovës.
“Shteti dhe Qeveria e Kosovës duhet të përshtaten me rrethanat e reja dhe të ndërhyjë në mënyrë që ta bëjë atraktive qëndrimin në Kosovë dhe mbajtjen e vendeve të punës. Me paga të mira. Ka paga të mira. Ka pare në Kosovë, qysh ka me shpërnda ‘lëmosha’ ka pare edhe për paga”, tha ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Sherifi tha se të rinjtë në Kosovë duhet të motivohen të punojnë e jo të qëndrojnë në asistencë sociale.
“Skema sociale duhet të ngritët, jo herë pas here, një herë 2 herë në vit me nda pare nga buxheti edhe me i shpërnda. Gabim është ajo. Rrite pensionin e jo si ‘baba që ia merr pagat djemve dhe në fund të vitit ose një herë në vit ia jep kapak. Gabim është kjo. Pensionisti le ta din sa e ka rritjen, le ta dinë sa ka ndihma sociale. Të rinjtë duhet të motivohen të punojnë, jo të qëndrojnë në asistencë sociale”, shtoi ai.