Zëvëndësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur se bastisja në Zveçan tanimë ka mbaruar, ndërsa ajo në Mitrovicën Veriore është duke vazhduar ende.
Ai për emisionin “Five” të TV Dukagjinit, tha se Policia e Kosovës, është duke asistuar në këto dy raste të bastisjeve, e që kanë të bëjnë me disa barnatore.
Ndërsa për 5 zollat e gjetura afër Manastirit të Banjskës, ai ka thënë se ato janë pjesë e sulmit terrorist të 24 shtatorit. “Nuk mund të jap detaje, rasti është pjesë e hetimeve”, ka thënë ai.
“7-të ose 8-të i kanë gjuajtur, 50 i patëm konfiskuar, edhe 5 këto bëhen gjithsej 55 që i kemi konfiskuar, është një numër i madh që i kemi konfiskuar gjatë operacionit të Banjskës, të cilat janë shumë të rrezikshme”, ka thënë tutje ai.
Elshani ka shtuar se Policia e Kosovës është e pranishme në veriun e vendit dhe se nuk kanë ndonjë problem të madh.
“Policia e Kosovës është në çdo cep të Kosovës, specifikisht në veri të vendit, kjo për ne është e rëndësishme që të mos kemi ndonjë ndalesë, ndonjë zonë që s’mund të hyjmë, banesë që s’mund të kontrollojmë ose shërbim që s’mund të ofrojmë,…këto probleme nuk i kemi”, ka shtuar tutje Elshani.
Tutje, ai ka theksuar nevojën që institucionet e vendit të jenë më të pranishme në këto komuna, duke përfshirë këtu edhe ARBK-në për regjistrimin e bizneseve.