Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj në mbledhjen e seancës së Kuvendit, tha se 3 vjetori i ardhjes në pushtet të partisë politike LVV, e gjen sektorin e shëndetësisë siç tha Zemaj, të tmerrshëm.
“3 vjetori i ardhjes në pushtet të kësaj partie politike e gjen sektorin e shëndetësisë tmerrësisht keq, më keq se asnjëherë më parë, shëndetësia në krye me ministrin Vitia dhe kjo qeveri u treguan të paaftë. 75% të kohës së qeverisjes pa lënë asnjë shenjë pozitive sikur kjo qeveri”, tha Zemaj.
Zemaj u shpreh se në spitale në vitet paraprake ka pas mungesë të barnave, tani ka edhe mungesë të letrave higjienike, katedrave dhe infuzioneve.
Ai ka kritikuar Qeverinë duke thënë se shumë specializant të rinj e mjekë po detyrohen të dalin në protestë, për shkak siç thotë Zemaj, janë injoruar kërkesat e tyre.
“Në të kaluarën ka pasur mungesë të barnave tashmë ka mungesë edhe të letrave higjienike të sapunëve dhe infuzioneve. Specializantët e rinj, mjekët e rinj i detyruat të dalin në protestë sepse i injoruat kërkesat e juaj. Nuk parashihet asnjë staf shtesë te mjekëve dhe infermierëve, apo staf teknikë”, shtoi Zemaj.
Tutje, ai shtoi se Ministria e Shëndetësisë është shndërruar në laborator eksperimenti, shkruan Tëvë1.
“Mungesa e sigurimeve shëndetësore është një ndër brengat më të mëdha të qytetarëve të vendit tonë. Ministrinë e Shëndetësisë e keni shndërruar në laborator eksperimenti në hyrje e daljeve të ministrave, me shkarkime dhe ikje e rikthime, ndërkohë hallet e pacientëve janë në harresë”, tha Zemaj në fjalimin e tij.