Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, bashkë me nënkryetaren e kësaj partie, Vlora Çitakun, takuan të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, përcjell InLajmi.
Krasniqi bëri të ditur se gjatë takimit folën për zhvillimet politike në vend e rajon, për të cilat sipas tij, shkëmbyen qëndrimet e tyre.
Më tej, ai tha se për partinë të cilën ai e udhëheq, me bashkëpunim dhe përgjegjësi do të angazhohet të ruaj interesin e shtetit, të qytetarëve dhe perspektivën e saj evropiane.
Postimi i plotë i tij:
Në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, prita sot të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Zhvillimet politike në vend dhe rajon ishin tema të diskutimit tonë, për të cilat shkëmbyem qëndrimet tona. Për PDK-në, përtej papërgjegjësisë së Qeverisë së Kosovës, është tejet e rëndësishme që Bashkimi Evropian të heqë sanksionet ndaj Kosovës, nga të cilat po vuajnë më së shumti qytetarët tanë.
PDK, si përherë, me bashkëpunim dhe përgjegjësi, do të angazhohet të ruaj interesin e shtetit, të qytetarëve dhe perspektivën e saj evropiane./InLajmi/