15 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 40 të tjerë janë lënduar pasi një zjarr shpërtheu në një ndërtesë apartamentesh në Kinë.
Në pamjet e shpërndara në mediat sociale shihen flakët dhe shtëllungat e tymi të zi që përfshinin disa kate të një rrokaqiell në qytetin Nanjing.
Zyrtarët sugjeruan se zjarri filloi në katin e parë të ndërtesës, ku po ruheshin biçikletat elektrike. Por, shkaku konkret i zjarrit mbeti nën hetim.
Ndërtesa ndodhet në rrethin Yuhuatai të Nanjing, një qytet me më shumë se 8 milionë banorë që shtrihet rreth 260 km në veri-perëndim të Shangait.
Nga 44 personat e lënduar të dërguar në spital për trajtim, njëri është në gjendje kritike, shkruan bbc.
Ndryshe, zjarret dhe aksidentet e tjera vdekjeprurëse ndodhin shpesh në shtetin kinez për shkak të zbatimit të dobët të standardeve të sigurisë, shkruan Telegrafi.
Zjarri në Nanjing vjen një muaj pasi 13 nxënës shkolle, 9 dhe 10 vjeç, mbetën të vdekur pasi një zjarr shpërtheu në një konvikt shkolle në provincën Henan të Kinës.