Erozioni i lumit të Vjosës ka zbuluar pranë shtratit të tij mbetjet e një varke. Pjesa anësore e varkës është e dukshme dhe është gjetur nga banorë të zonës së Kashishtit pranë njësisë administrative të Frakullit.
Sipas banorëve të zonës, të cilët kanë lajmëruar për këtë gjetje, varka mund t’i përkasë kohës së luftës mes Austrisë dhe Italisë, pasi në atë kohë, ky vend që njihej edhe si Gjemia e Shkëmbit kalohej nga njëra anë në tjetrën me varka.
Mjetet lundruese janë përdorur si për tregti nga banorët ashtu edhe nga ushtarët austriakë dhe italianë që kishin garnizonet e tyre pranë lumit Vjosë.
Ndërsa për arkeologun Bashkim Vreka, mbetjet e varkës mund të jenë nga Lufta e Parë Botërore, por ky zbulim konfirmon edhe një herë faktin që Vjosa ka qenë lum i lundrueshëm që nga deti e deri në zonën arkeologjike të Bylisit të sotëm, shkruan A2CNN.
Do të jenë studiuesit dhe arkeologët që pritet të përcaktojnë kohën e mbetjeve të varkës dhe nëse do të ketë elemente për të dëshmuar momente historike të zonës.