Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thekson se në 3 vitet e fundit ka përkeqësim të paprecedent të strukturës së buxhetit, përcjell InLajmi
Hoti tha se më shumë shpenzohet në subvencione-transfere se në ndërtimin e rrugëve, shkollave, spitaleve apo në pajisje të ushtrisë e policisë.
Deputeti LDK-së kritikon qeverinë aktuale se shpenzimet kapitale të nivelit qendror kanë rënë në 12% të buxhetit ndërsa në qeverinë Mustafa 20% e buxhetit është dedikuar për shpenzime kapitale të nivelit qendror.
Postimi i plotë i tij:
Përkeqësim i paprecedent i strukturës së buxhetit në 3 vitet e fundit: Trefish më shumë shpenzohet në subvencione-transfere se në ndërtimin e rrugëve, shkollave, spitaleve apo në pajisje të ushtrisë e policisë.

Kjo politikë buxhetore nuk siguron zhvillim. As varfëria nuk eliminohet kështu. Ajo mund të zbutet përkohësisht me subvencione, por eliminohet vetëm me zhvillim.
Më tepër është investuar në 2 vite e 9 muaj të Qeverinë Mustafa (979 mil. euro shpenzimet kapitale në nivelin qendror), se në Qeverinë aktuale që është në vitin e 4 të mandatit (910 mil. euro shpenzimet kapitale në nivelin qendror).
Për më tepër, në Qeverinë Mustafa 20% e buxhetit është dedikuar për shpenzime kapitale të nivelit qendror. Ndërkaq, në Qeverinë aktuale, shpenzimet kapitale të nivelit qendror kanë rënë në 12% të buxhetit./InLajmi/